E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, Dobjani: Të mos përdoren fëmijët në fushatë



Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, prezantoi dje në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për aktivitetin e këtij institucioni gjatë vitit 2008, nga ku lëshoi një apel për politikën. Ai kërkoi që në këtë fushatë zgjedhore të mos përdoren fëmijët. Avokati i Popullit u shpreh se ka pasur ankesa në lidhje me përdorjen e fëmijëve në fushatat zgjedhore. Duke qëndruar në këtë pikë, Dobjani tha se e drejta e votës do të garantohet për të gjithë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për sa i përket raportit, statistikat flasin se Avokatit të Popullit i janë drejtuar 3657 ankesa, nga të cilat janë shqyrtuar rreth 2922. Dobjani kërkoi ndryshimin e ligjit, duke kërkuar më shumë kompetenca në këtë institucion në mënyrë që të shqyrtohen të gjitha ankesat që vijnë. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm ankesash është shqyrtuar. Ankesa ka pasur për zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku përgjatë vitit 2008 janë depozituar 117 të tilla, me objekt pretendimet për zvarritjen e regjistrimit të pasurive, veçanërisht të apartamenteve, oborreve të banesave private dhe zvarritjen e procesit të marrjes së certifikatës së pronësisë. Avokati i Popullit ka vizituar mjediset e burgjeve në Shqipëri, ku ka rezultuar numri i lartë i të burgosurve, mbi kapacitetin real të tyre. Në këtë institucion janë drejtuar ankesa edhe për Prokurorinë, për moskryerjen si duhet të detyrës. Avokati i Popullit i ka rekomanduar prokurores së përgjithshme fillimin e hetimeve ndaj 4 prokurorëve të prokurorisë së Tiranës.

Patozi: Objektivi i mandatit të dytë, anëtarësimi në BE

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit të saj parlamentar, deklaroi dje nga Vlora se objektivi i qeverisë në mandatin e dytë do të jetë anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. Deklarata e Patozit u bë gjatë një takimi të zhvilluar dje me banorë të komunës Vllahinë dhe krahinës së Gorishtit. “Partia Demokratike ka hedhur bazat solide të të sotmes dhe të ardhmes së vendit dhe po shkon drejt një mandati tjetër, me sigurinë e përmbushjes së objektivit të dytë, anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - deklaroi Patozi. Ai tha më tej se Shqipëria po ndryshon dhe kjo duhet edhe në komunën Vllahinë. “Vllahina, me investimet e realizuara gjatë këtyre viteve në rrugë, ujësjellës e shkolla dhe ato që ka në proces, është shembulli më i mirë i të vërtetës së madhe se Shqipëria po ndryshon”, - tha ai, duke shtuar se në krahun tjetër ka një politikë të ndryshkur. “Opozita, në të kundërt të asaj që deklaron, bën një politikë të ndryshkur, duke pasur në krye një kryetar që përbën emblemën e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin”, - shtoi Patozi. Në këtë komunë u anëtarësuan 30 të rinj në Partinë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›