E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, një ditë pas zgjedhjeve shpallet rezultati



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot udhëzimin e radhës, kësaj here për mënyrën dhe procedurat që do të zbatojnë KZAZ-ja dhe KQZ-ja për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas udhëzimit, përcaktohet që në momentin e përfundimit të numërimit të votave, menjëherë KZAZ-ja duhet të nisë rezultatin me anë të internetit. Duke parë këtë procedurë të shpejtë, bëhet e ditur që në rast se numërimi i votave ecën normalisht pas mbylljes së kutive të votave në orën 19, atëherë parashikohet që rezultati përfundimtar të dalë që ditën e nesërme, pra 29 qershori. Për herë të parë në Shqipëri përdoret një infrastrukturë elektronike në këto përmasa, duke bërë që rezultati të dalë në një kohë rekord. Ndoshta për herë të parë, në Shqipëri do të mësohet zyrtarisht fituesi që 24 orë pas përfundimit të procesit të votimit. KZAZ-ja përcjell në rrugë elektronike në KQZ, për çdo qendër votimi informacionin e përcaktuar, menjëherë pas marrjes së tabelës së rezultateve nga grupet e numërimit. Ky proces vazhdon deri në përfundimin e vlerësimit dhe numërimit të votave dhe dorëzimit të të gjitha tabelave të rezultateve prej grupeve të numërimit. Pas miratimit me vendim nga KZAZ-ja të Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës, KZAZ-ja njofton KQZ-në për përfundimin e procesit të numërimit të votave. Përcjellja e informacionit të përcaktuar në këtë udhëzim, në KQZ, bëhet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e sekretarit të KZAZ-së. Me marrjen e informacionit nga KZAZ-të, KQZ-ja bën publikimin në dinamikë në rang zone zgjedhore. Publikimi i informacionit të mësipërm bëhet në sallën e mediave, elektronikisht e në letër dhe në faqen e KQZ-së në internet. Informacioni i publikuar nga KQZ-ja, në çdo rast, shoqërohet me numrin gjithsej të qendrave të votimit në zonën përkatëse zgjedhore dhe me numrin e qendrave të votimit mbi të cilin është llogaritur rezultati i dhënë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›