E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët të pabindur, policia mezi “zbraz” rrugët

Trafiku dhe konfuzioni ka kapluar dje të gjithë kryeqytetin nga paralizimi i lëvizjes së qarkullimit të makinave në disa akse të Tiranës. Ishin planifikuar gjashtëdhjetë minuta lëvizje në këmbë, duke ftuar që të gjithë që të paktën për një orë të braktisin makinën e tyre të dashur. Uniformat blu, më shumë se askush tjetër, kanë rendur për të liruar të paktën disa akse, në mënyrë që të zhvillohej Dita Ndërkombëtare pa Makina.

Makinat

Gjysmë ore para se të fillonte orari zyrtar për zhvillimin e aktivitetit, policët kanë filluar që t’u japin drejtim makinave për në rrugë të tjera alternative. Ndonëse moti e favorizonte lëvizjen pa makinë, qytetarët e kanë pasur tejet të vështirë të ndahen prej manisë së katër rrotave.

Për këtë uniformat blu kanë shprehur shqetësimin, pasi gjatë gjithë aktivitetit kanë qëndruar në këmbë, duke u dhënë orientim makinave, në mënyrë që të mos hynin në zonën e përcaktuar për këmbësorët.

Ditës së djeshme pritej që t’i bashkoheshin qytetarët e Tiranës në ecjen me biçikleta dhe patina përgjatë bulevardit "Dëshmorët e kombit", aktivitet ky i organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit.

Por në fakt, protagonistët e kësaj dite ishin vetëm nxënësit e 20 shkollave të kryeqytetit, të cilën apeluan për përdorimin e transportit urban dhe mjeteve të tjera fizike, si biçikletat.

Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Hanxhaku, tha se "pjesë e këtij aktiviteti ishin dhe çiklistët, të cilët kanë shoqëruar në ecjen me biçikleta fëmijët. Qëllimi ishte përzgjedhja e elementëve të rinj në sportin e çiklizmit". Dita pa makina

Dita Ndërkombëtare pa Makina synon sensibilizimin e opinionit publik, që të zvogëlojnë përdorimin e makinave dhe të nxisin më shumë përdorimin e transportit publik, apo mjeteve të tjera të lëvizjes. Përdorimi i tyre, jo vetëm që është i dobishëm për shëndetin, por ndikon dhe në ruajtjen më të pastër të mjedisit. Kjo ditë është një thirrje, një kujtesë për dëmet e mëdha që sjellin gazrat e çliruara nga lëndët djegëse, në shëndetin e individit dhe ngrohjen globale.

Shqipëria që nga viti 2003 iu është bashkuar vendeve evropiane në organizimin e aktiviteteve, që synojnë ndërgjegjësimin e publikut për pasojat negative në mjedis, si në cilësinë e ajrit, shtimin e zhurmave, që shkakton përdorimi pa kriter i automjeteve, si dhe në inkurajimin e zhvillimit të transportit të qëndrueshëm publik.

Prej vitit 2002, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë iniciativën ndërkombëtare "Java Evropiane e Qarkullimit", që organizohet më 22 shtator me aktivitetin "Në qytet pa makinën time", ku në segmente dhe orare të caktuara, ndërpritet qarkullimi i automjeteve dhe zhvillohen aktivitete sensibilizuese.

Deri para dy vjetësh ky aktivitet zhvillohej vetëm nga vendet evropiane, por më pas, iu bashkuan shumë shtete dhe qytete nga kontinente të tjera. Këtë vit, kësaj iniciative, i bashkohen rreth 1.300 qytete në të gjithë botën, të cilat do të organizojnë aktivitete në përputhje me temën e këtij viti, "Rrugët për njerëzit".

ISHP

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, nga përdorimi i shumtë i automjeteve në Tiranë shkarkohen në ajër mijëra ton pluhur me një përqendrim tepër të lartë të grimcave të imta vdekjeprurëse (PM 10), sasia më e madhe e të cilave vjen nga shkarkimet e makinave dhe kryesisht nga automjetet e vjetra me motor dizel.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›