Administrata, në “shkollë” për njohjen e BE-së
Mbi 40 nëpunës të administratës publike do të kthehen në “bankat e shkollës” në fund të muajit shtator, për të përmirësuar njohjen e problematikave kryesore në lidhje me BE-në. Objektivi kryesor është forcimi i njohurive nga administrata publike dhe aktorët e shoqërisë civile për instancat evropiane. Kjo iniciativë vjen nga Ministria e Integrimit që koordinon qeverinë shqiptare dhe qeverinë e Mbretërisë së Spanjës, që organizojnë një sërë kursesh trajnimi. Programi fokusohet në katër fusha kryesore, që janë në lidhje direkte me rrugën dhe reformat që ka ndërmarrë shteti shqiptar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nga një anë, pjesëmarrësit do njihen me politikën e brendshme dhe marrëdhëniet e jashtme të Komunitetit Evropian, dhe nga ana tjetër me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe dallimet nga procesi i integrimit të Spanjës. Seminaret do të zhvillohen nga profesorë, diplomatë dhe nëpunës civilë spanjollë, që kanë qenë aktorë të implikuar në procesin e integrimit të Spanjës ose me përvojë të gjerë në çështjet e Komunitetit Evropian. Si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi bilateral, qeveria spanjolle financon në mënyrë të plotë këtë program. “Spanjollët janë kontaktuar nga pala shqiptare për njohuritë e thella që kanë në këto drejtime”, – thekson z. Ilir Shqina, këshilltar diplomatik në Ministrinë e Integrimit dhe një nga koordinatorët, duke shtuar se “pas trajnimit, çdo nëpunës do të marrë një diplomë, që provon njohuritë e tij”. Sektorët administrativë që do përfitojnë nga kjo eksperiencë janë ekonomia, drejtësia, mbrojtja dhe financa. Me ndërmarrjen e këtyre iniciativave, qeveria shqiptare provon edhe një herë se angazhohet në mënyrë konkrete për reformat e ndërmarra në riorganizimin institucional, që do na çojnë drejt anëtarësimit evropian. Në të njëjtën kohë, një projekt midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, i financuar nga Ministria gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, u organizua më 3 dhe 4 shtator, për të përmirësuar forcimin e kapaciteteve administrative, në kuadër të zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA). Konkretisht, në të ardhmen, qytetarët do të kenë përpara tyre persona nga administrata me njohuri akoma më të thella dhe më kompetentë në punën e tyre.