Ligji lë jashtë loje prokurorët
Komisioni i Ligjeve vendos të përfshijë në projektligjin për transportin e zyrtarëve të lartë të vendit anëtarët e KQZ-së dhe të lërë jashtë tij prokurorët. Por, një version tjetër i parashikuar në ligj është se deputetët dhe zyrtarët e lartë që duhet të heqin dorë nga makinat e tyre shtetërore mund t‘i rimarrin ato duke i blerë. Projektligji kufizon përdorimin e makinave me targa Z dhe parashikon nxjerrjen në ankand të 3500 makinave të dorëzuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit. "Gjithë ato makina të cilat do dalin në rezervat e shtetit, të jeni të sigurt që shitja që do të bëhet, për mendimin tim, do të jetë një shitje fiktive dhe çmimet do të jenë me të vërtetë problematike. Përsëri po i heqim makinat dhe do t‘i bëjmë ata pronar makinash", tha deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Komisioni ka parashikuar se makinat shtetërore që do të shiten nuk do ta kapërcejnë shifrën 374. Reduktimi vetëm në 30 i automjeteve në përdorim të funksionarëve të lartë i kursen buxhetit të shtetit 206 milionë e gjysmë shpenzime.