Topi vizitë në Slloveni, takime të nivelit të lartë
Presidenti Bamir Topi, gjatë vizitës në Slloveni, theksoi se në Shqipëri demokracia po funksionon. Në fillim të vizitës së tij zyrtare në Slloveni, Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, si edhe delegacioni zyrtar që shoqëron Presidentin gjatë kësaj vizite, u pritën me anë të një ceremoniali zyrtar dhe ndere ushtarake nga Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Tyrk, dhe Zonja e Parë sllovene, Barbara Mikliç Tyrk. Në vijim, dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan bisedimet e delegacioneve respektive. Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, intensifikimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë si ajo e energjetikës, turizmit, infrastrukturës, etj., ishin pjesë e këtyre takimeve. Vëmendje e posaçme gjatë këtyre bisedimeve iu kushtua bashkëpunimit bilateral dhe atij rajonal në kuadër të integrimit në Bashkimit Europian. Në përfundim të këtij takimi, Presidenti Topi dhe Presidenti slloven, Tyrk, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Sakaq, Topi takoi edhe Kryeministrin slloven, të cilin e njohu me zhvillimet më aktuale të politikës së brendshme, ku nënvizoi realizimin së fundmi të zgjedhjeve sipas një Kodi Zgjedhor të hartuar me konsensusin e forcave politike. Kryetari i shtetit vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për realizimin me sukses të reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit, si ajo në fushën e drejtësisë, të ekonomisë, arsimit etj. Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në dukje tendencën pozitive të shkëmbimeve në drejtim të bashkëpunimit ekonomik të Shqipërisë me vendet e rajonit, duke u shprehur se ekzistenca e kuadrit të nevojshëm ligjor për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe nxitjen e investimeve sllovene në Shqipëri, është një faktor thelbësor pozitiv. "Shqipëria ofron mundësi të mira për tërheqjen e investimeve të huaja në tregun dhe ekonominë shqiptare dhe pjesëmarrjen e kompanive sllovene në të", theksoi Presidenti. Presidenti Bamir Topi, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore dyditore në Slloveni, deklaroi nga Berdo, se shpresonte te dialogu politik me opozitën dhe se mund të vendosej së shpejti.