E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, gjatë verës u dogjën 527 hektarë pyje

PUKË Zjarret në sipërfaqet pyjore të rrethit të Pukës gjatë muajve të nxehtë të verës kanë lënë pas dëme kolosale. Drejtoria e Shërbimit Pyjor në këtë rreth tashmë ka mbyllur edhe bilancin e dëmeve nga zjarret, ku rezulton se në 23 rastet e zjarreve që u shfaqën në pyjet e rrethit të Pukës, u përfshinë nga flakët 527 hektarë me pyje pishe dhe ahu, nga të cilët rreth 200 hektarë janë djegur tërësisht. Burime pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në rrethin e Pukës pohojnë se nga sipërfaqet e djegura rezulton se 255 hektarë rezultojnë të jenë pyje komunale dhe rreth 280 hektarë pyje shtetëror. Specialistët e Shërbimit Pyjor pohojnë se zjarret masive janë regjistruar kryesisht në territoret e komunave Gjegjan, Qafë Mali, Fushë-Arrëz e Blerim. Vetëm në sektorin pyjor të Gjegjanit janë shënuar 12 raste zjarresh, ndërkohë që edhe pse u hodhën dyshime se të gjitha rastet ishin si pasojë e zjarrvënieve të qëllimshme, askush nuk u ndalua si autor i këtyre zjarrvënieve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›