Shembja e pallatit, policia përplaset me bashkiakët
Shembja e pallatit të kunatit të deputetit Dashamir Peza ka sjellë përplasje mes policisë dhe bashkiakëve. Policia e Shtetit kishte shkuar në mbrojtje të Inspektoratit të Ndërtimit, kur është tensionuar së tepërmi situata rreth pallatit 12-katësh pas hotel "Tiranës", shembja e të cilit ka nisur dy net më parë. Sapo atje kanë mbërritur forcat policore sipas një urdhri të posaçëm për të vijuar shembjen e plotë të tij, të pranishëm kanë qenë edhe mjaft deputetë socialistë, të cilët kanë nisur të debatojnë dhe konfrontohen me ta duke krijuar mjaft tension. Në konfrontim kanë ndërhyrë edhe punonjësit e policisë bashkiake. Për këtë, Policia e Tiranës deklaroi se në mbështetje të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit" dhe pas kërkesës nr. 208 Protokolli datë 07.12.2009, të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Dega Tiranë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka mbështetur veprimet e këtij inspektorati për prishjen e një objekti të ndodhur në rrugën "Urani Pano" në Tiranë. "Është në praktikën e punës së policisë dhe njëkohësisht një detyrim ligjor i saj, të mbështesë në veprimtarinë e tyre institucionale qendrore dhe vendore. Vetëm gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka mbështetur në 5 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe në 675 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës", deklaroi policia. Ndërsa për dje, zyrtarisht u shpjegua se forcat e policisë bashkiake të Bashkisë Tiranë, kanë tentuar dhe janë konfrontuar me punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kishin bllokuar zonën për të garantuar veprimtarinë normale të Inspektoratit Ndërtimor, si dhe për të garantuar jetën e shëndetin e qytetarëve, si pasojë e punimeve që po kryheshin për prishjen e këtij objekti. Për këto veprime antiligjore të kryera nga policia bashkiake, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka përgatitur dhe do të dërgojë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duke i vlerësuar këto veprime si të pa precedentë dhe antiligjore, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë garanton opinionin publik se pavarësisht nga këto veprime, në të gjithë veprimtarinë e saj do të udhëhiqet vetëm te ligji.
Ble. Gi.
Ble. Gi.