E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji që shkëputi Shqipërinë nga Vatikani

01/02/2005  1949

Në vitin 1949 për herë të parë entet fetare vihen nën kontrollin e shtetit me ligj.

Në një dokument të siguruar nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit, dhuruar nga Arkivi i Shtetit, jepet mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, ku u vendos përfundimisht që kishat e xhamiat do të ishin nën diktatin politik të shtetit. Sipas këtij ligji, bëhet për gati 50 vjet shkëputja e lidhjeve midis Vatikanit dhe Shqipërisë.

Ku u mbështetet hartimi i ligjit për fetë? Cilat ishin sugjerimet që dhanë Mehmet Shehu dhe Lirie Belishova? Mbas miratimit të ligjit, të gjitha botimet fetare do të kontrolloheshin nga shteti, ashtu sikurse botimet e tjera.

Çfarë ndodhi pas dhjetë viteve të miratimit të këtij ligji mbi fetë? Në vitin 1965, në Elbasan, arrihet kulmi i prishjes së objekteve të kultit.

A pati ankime nga populli për prishjen e kishave dhe xhamive. Cila ishte kërkesa e Kishës Ortodokse drejtuar Kryeministrisë? Zbardhen dy informacionet themeltare që faktojnë vendimet kundër fesë në vitet '49 dhe '65.

Manol Konomi, Liri Belishova dhe Mehmet Shehu në një mbledhje të posaçmë të Byrosë Politike të KQ, diskutojnë ligjin mbi komunitetet fetare. Ky është i pari debat që bëhet për fenë, për ta sanksionuar veprimtarinë e saj në ligj. Në mbledhje do të merrnin pjesë Enver Hoxha si dhe Tuk Jakova, Bedri Spahiu të cilët mungonin pasi nuk ndodheshin në këtë moment në Shqipëri. Më poshtë zbradhet e plotë proces verbali i mbajtur në këtë mbledhje, si dhe vërejtjet e sugjerimet që dhanë M. Shehu dhe L.Belishova për ligjin e fesë.

“Proces-Verbal nr.79 datë 18/XI/1949 i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ. Mungojnë në mbledhje shoku Komandant dhe shokët Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, të cilët ndodhen në demokracitë popullore për të lidhur marrëveshje ekonomike për vitin 1950.

Rend-Dite

1.-Shqyrtimi i ligjit mbi komunitetet fetare

2.-Mbi komisionet e partisë në ushtri

1-Ligji mbi komunitetet fetare:

Referon Shoku Manol Konomi - Ky ligj është hartuar në bazë të statutit themeltar të Republikës sonë. Ajo që është kryesore në këtë ligj është se entet fetare vihen tashti ndënë kontrollin e shtetit dhe sidomos të kryeministrisë. Me këtë ligj tani ju vihet fre lidhjeve të kishës katolike në Shqipëri me Vatikanin. Tani në bazë të këtij ligji emërimi i drejtuesve të sekteve fetare, nuk mundet të bëhet pa aprovimin e kryeministrisë. Si rregull, komunitetet fetare nuk mundet të zhvillojnë në bazë të ligjit një besnikëri të plotë ndaj shtetit dhe udhëheqësit të tyre, duhet të gëzojnë besimin e populit. Për të gjithë ata që shkelin dispozitat e këtij ligji, parashikohen edhe sanksione. Kryeministria në bazë të këtij ligji ka të drejtë që, kur një klerik ose një ent fetar nuk konformohet me ligjin, atëherë largohet nga funksionet e tija. Në ligj parashikohet edhe dhënia e një subvensioni komuniteteve fetare nga ana e shtetit, por, kjo gjë është fakultative.

Për hartimin e këtij ligji, ne jemi bazuar në ligjin që kanë nxjerrë në Rumani për këtë çështje; përveç këtij ligji jemi bazuar edhe në disa dispozita të ligjit të Zogut. Çështjen e kuadrove fetarë ne e kemi zhvilluar më shumë, pse ne kemi shumë sekte të ndryshme fetare.

Shoku Mehmet Shehu: Ne a do t’i lemë komunitetet fetare që të bëjnë sa herë që të duan mbledhje dhe si do të disiplinohet një gjë e tillë.

Shoku Manol Konomi: Ato mbledhje të gjera nuk mundet të bëjnë dukje mos iu konformuar ligjit, për të tjerat nuk ke se si të bësh dhe do të mbeten ashtu si janë tani.

-Diskutohet çështja e botimeve të tyre dhe e letrave pastorale si dhe qarkoreve që do t’u lëshojnë mvartësve të tyre. Përsa u përket botimeve, ata do të veprojnë duke respektuar kontrollin që u bëhet të gjitha botimeve në bazë të ligjit si të gjitha botimet e tjera që bëhen nga ana e shtetit.

Shoqja Liri Belishova - Çështja e letrave pastorale, unë mendoj që të mbetet kështu siç është në këtë projektligj, që ata t’ju dërgojnë mvartësve të tyre poshtë dhe shtetit d.m.th. Kryeministrisë t’ia bëjnë vetëm sa për njoftim.

Shoku Mehmet Shehu - Këtë mundet ta lemë kështu, po të thuhet se do të merren masa shumë të rënda në rast se ato janë në kundërshtim me ligjet dhe me interesat e shtetit”.

Belishova dhe Shehu, pasi kanë dhënë vërejtjet e tyre për letrat pastorale dhe qarkoret e ndryshme për entet fetare sipas proces verbalit vendoset që të: “Lihet që letrat pastorale dhe qarkoret e ndryshme që entet fetare do t’ju dërgohen mvartësve të tyre poshtë t’ja bëjnë vetëm sa për njoftim kryeministrisë; gjithashtu të vihet që kongreset e tyre të bëhen brenda tre muajve.

Ky ligj shoqërohet me një kryeartikull të pregatitur nga Manoli për çështje të fesë. Ligji të botohet në gazetën "Bashkimi" dhe të hyjë në fuqi menjëherë. Për çështjet fetare, këtej e tutje, d.m.th. mbas botimit të këtij ligji, do të interesohet Kryeministria dhe jo Ministria e Drejtësisë, siç bëhesh gjer tani. Nga ana e Byrosë, ligji u aprovua me unanimitet prej të gjithë atyre që ishin në këtë mbledhje”.

Informacion dërguar Këshillit të Ministrave mbi prishjen e disa kisha

Shoku

Kryeministër

Informacion mbi prishjen e disa kishave e xhamive në Elbasan

Në Shpatin e Elbasanit, në katundin Shterman e Gjinar janë prishur 3 kisha, ku në gjithë shpatin nuk ka asnjë kishë. Këto janë prishur nga organizatat e rinisë.

Nga besimtarët pleq ka pakënaqësi për prishjen e tyre.

Prifti i Gjinanit kishte ardhur tek Pais, në Tiranë, i kishte thënë se kjo s’ka bërë vaki në këtë mënyrë dhe ikonat që ishin në kishë nuk na i dhanë. Thonë se populli nuk e do kishën, por fakti është se as një të ri nuk kemi pa pakëzuar. Prifti në fjalë ka mbajtur e mban qëndrim të mirë.

Në katundin Shalës, Kajan, Dëshiraj, Gostimë, Mollas, Dragot të Sulovës dhe Dardhëzezë, u janë prishur xhamitë. Përveç të 7 xhamive të sipërm, ka zënë plani dhe dy të tjera në qytet të Elbasanit, një u prish dhe tjetra do të prishet.

Për një pjesë të xhamive ka ankime pse na i prishin, kurse nga qyteti i Elbasanit më kanë ardhë besimtar që të mos prishen. Unë jam përgjigjur se ato i ka zënë planimetria.

Kryesia e Kishës Orthodokse na bën shkresë, ku kërkon që të ndreqen kishat siç ishin dhe të merren masa të mos prishen të tjera.

Unë mendoj që të flas ndonjë shok me Paisin, për shembull, gjeneral Niko Ceta ose ndonjë tjetër, se unë kam folur shumë herë me të e nuk më dëgjon.

Bashkangjis letrën e Paisit.

Lutemi si të veproj.

24/IX/1965

Reshat Pëllumbi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›