E Hënë, 2 Nëntor 2026

Uniformat blu, dhunë e torturë

01/02/2005  Në dy vite, 105 raste të denoncuara të keqtrajtimeve jo vetëm të të rriturve, por dhe fëmijëve e grave nga policët në paraburgim e komisariate

Amnesty Internacional: Shqipëria na dërgon raporte të mbushura me ligje, jo me masat që merren

Keqtrajtim të të ndaluarëve nga policët, fëmijë, gra, apo të rritur, faktet që jepen në Raportin e Amnisty Internacional janë tepër tronditëse. Shqipëria e ka detyrim që të raportojë, pasi ka nënshkruar konventat, dy raporte i ka dërguar, ndërsa një tjetër pritet ta dorëzojë këtë vit. Deri tani, këto raporte kanë qenë të mbushura vetëm me legjislacion, dhe ka pak informacione lidhur me shkallën e efektshmërisë në praktikë të këtyre masave legjislative. Ai nënvizon jo vetëm përdorimin e dhunës nga policët, por po aq shqetësuese është moskryerja, e hetimeve të menjëhershme, tërësore dhe të paanshme lidhur me ankesat për keqtrajtim dhe mosnxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Të njëjtin shqetësim ka dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut, paraqitur në nëntor 2004. Pas shqyrtimit që i bëri raportit fillestar të Shqipërisë për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Komiteti për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësimin “lidhur me ankimet për arrestime dhe shoqërime arbitrare në polici, përdorimin e tepruar të forcës nga punonjës të ruajtjes së rendit, keqtrajtim të personave të mbajtur në polici dhe përdorimin e torturës për t’i detyruar personat e dyshuar të pranojnë fajin”. Ai gjithashtu rekomandoi se “Shteti duhet të marrë masa të rrepta për të çrrënjosur të gjitha format e keqtrajtimit nga forcat e ruajtjes së rendit dhe të sigurojë hetimin e menjëhershëm, tërësor, të pavarur dhe të paanshëm të të gjitha ankesave për tortura dhe keqtrajtim”. Amnesty International thekson se vërtet forcat e policisë në Shqipëri janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të vazhdueshme, por këto faktorë nuk e justifikojnë përdorimin nga ana e tyre të torturës, ose formave të tjera të keqtrajtimit. Amnesty International është e shqetësuar se keqtrajtimi policor i personave të privuar nga liria, përfshirë edhe fëmijët (kryesisht gjatë orëve të para pas arrestimit) është ende i përhapur në Shqipëri. Në periudhën nga fillimi i vitit 2002 deri në fund të nëntorit 2004 Amnesty International mësoi për më shumë se 105 incidente, në të cilat thuhet se policia ka torturuar ose keqtrajtuar një ose më shumë persona, domethënë një mesatare prej 35 incidentesh në vit. Denoncime të këtij lloji u bënë kundër degëve të ndryshme të forcave të Policisë së Shtetit, punonjës të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, Forcave të Policisë Speciale dhe Policisë Gjyqësore. Ankesat për torturë dhe keqtrajtim zakonisht përfshinin goditjet me grushta, me shkelma dhe rrahjet me shkop ose armë të tjera. Në shumicën e rasteve pas bërjes së ankesës, këta persona u liruan, por ata nuk vazhduan më tej, të ndiqnin çështjen. Kjo, sepse nuk kanë besim te gjyqësori shqiptar. Ka edhe një kategori tjetër – personat që kanë kryer, ose që dyshohen se kanë kryer krime të rënda dhe që vazhdojnë të mbahen në polici. Raporti i Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturave dhe Dënimeve a Trajtimeve Çnjerëzore e Poshtëruese (KPT), gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, në vitin 2001, lë të kuptohet se keqtrajtimi në raste të tilla kishte qenë veçanërisht brutal.5 Megjithatë, denoncimet për torturë ose keqtrajtim nga kjo kategori të burgosurish duket të jenë më të ralla. Kjo pasi këta të burgosur shpesh nuk lejohen të kontaktojnë të afërmit, ose një avokat për së paku disa ditë pas arrestimit, kohë gjatë së cilës shenjat e plagëve mund të jenë shëruar ose zbehur. Amnesty International ka vërejtur se të paraburgosurit dhe të dënuarit, edhe pse shpesh ankohen për kushtet e burgimit, rrallë herë flasin për keqtrajtim nga ana e policëve që i ruajnë ata. Kjo tregon se keqtrajtimi i këtij lloji nuk është i përhapur.

E akuzoi fqinja për vjedhje, u rrah me shkop gome

Më 13 maj 2004, Beqir Kaba, 19 vjeç, u shoqërua në Komisariatin e Peshkopisë pasi një fqinjë e akuzoi për vjedhje. Më vonë, Kaba tha se, kur ai e mohoi akuzën, policët e goditën me shkopinj gome në shpinë, shpatulla, këmbë dhe duar, i përdrodhën dhe shkulën me pinca mjekrën dhe veshët dhe e kërcënuan se do ta vrisnin. Ai u lirua të nesërmen. Fotografi të marra pesë ditë pas incidentit tregonin qartë pjesë të ndryshme të trupit të tij të mavijosura dukshëm. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se dëmtimet ishin “shkaktuar me mjete të forta”. Beqir Kaba bëri një kallëzim kundër pesë punonjësve të policisë. Fillimisht policia lokale e mohoi se ai ishte keqtrajtuar, por kundër dy policëve filloi më vonë procedimi penal për “kryerje veprimesh arbitrare”.

Dinte për një vrasje, i dogjën trupin me cigare

Sipas Sabaudin Çelës, më 5 mars 2002, ai u detyrua, nën kërcënimin e armëve, të futej në një makinë nga Alnor Hasa, shefi i Policisë Kriminale të Vlorës, dhe dy ose tre persona të tjerë (civilë, jo policë), të cilët besonin se ai kishte informacion për një vrasje. Ata e çuan në periferi të Vlorës, ku ai tha se e rrahën brutalisht dhe e dogjën me cigare. Më pas ata e sollën përsëri në qytet dhe e lanë pa ndjenja në rrugë, ku u gjet më vonë nga një fqinj, dhe u çua në spital për mjekim për plagët që kishte. Dy ditë pas këtij incidenti, një përfaqësues i Amnesty International e intervistoi Sabaudin Çelën në spital dhe i pa qartë plagët, përfshirë shenja, të cilat, sipas Sabaudin Çelës, ishin të djegura me cigare. Në nëntor 2003, Alnor Hasa u gjet fajtor “për kryerje të veprimeve arbitrare” dhe u dënua nga Gjykata e Rrethit Vlorë me dy vjet heqje lirie.

U akuzua për prostitucion, i çan veshin

Merita Kola, 22 vjeçe, u arrestua më 23 korrik të vitit 2004 me akuzën trafikim për qëllime prostitucioni. Në një letër që i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit, ajo ka shkruar: “Pasi më arrestuan, më çuan në komisariatin e Burrelit, ku në orën 23:00 më morën në pyetje pa praninë e avokatit”. Ajo tha se punonjësit e policisë e kishin fyer me fjalë të ndyra, e kishin goditur me shpulla dhe me shkelma në bark, derisa i kishte rënë të fikët; dhe se pastaj e kishin sjellë në vete, duke i hedhur ujë. Ajo tha se një polic i kishte shkulur vathin nga veshi, duke i shkaktuar hemorragji dhe se kryeprokurori i Burrelit e kishte kërcënuar. Pas publikimit të pretendimeve të saj në shtyp më 6 gusht 2004, Merita Kola u lirua dhe akuzat kundër saj u tërhoqën.

Vërejtjet e Amnesty International

1. Incidente të shumta të keqtrajtimit policor, që në disa raste arrijnë në kufijtë e torturës.

2. Ngurrimi nga ana e prokurorisë për të përdorur nenin 86 të Kodit Penal (që ka të bëjë me torturën dhe akte të tjera çnjerëzore ose poshtëruese) kundër punonjësve të policisë dhe nëpunësve të tjerë të shtetit.

3. Formulimi i neneve 86 and 87 të Kodit Penal, i cili është shumë i paqartë, dhe nuk i përfshin të gjithë elementët e përkufizimit të torturës, siç përcaktohet në nenin 1 të Konventës së KB kundër Torturës, si edhe akte të tjera, të cilat nuk arrijnë në kufijtë e torturës, por përbëjnë trajtim dhe ndëshkim mizor, çnjerëzor ose poshtërues, siç përcaktohet në Nenin 16 të Konventës.

4. Shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria që garantohen nga legjislacioni ndërkombëtar dhe vendas – shkelje që minojnë dispozitat mbrojtëse kundër torturës dhe keqtrajtimit.

5. Moskryerja e hetimeve të menjëhershme, tërësore dhe të paanshme, lidhur me kallëzimet për torturë ose keqtrajtim dhe mosnxjerrja para drejtësisë e personave përgjegjës, që rezulton në pandëshkueshmërinë e punonjësve të policisë.

6. Mungesa e dëmshpërblimit shtetëror, përfshirë kompensimin e drejtë dhe të mjaftueshëm, për viktimat e torturës dhe keqtrajtimit të shkaktuar nga policia ose forca të tjera të ruajtjes së rendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›