E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nënë Tereza “detyrat” për një monument

01/02/2005  Të mos kesh afër një heroinë të fryrë që nuk mund t’i afrohesh për arsye të krenarisë, por një njeri gati të zakonshëm, i cili rri mbi një piedestal të ulët. Kjo pikë ka të bëjë dhe me një dëshirë të vetë asaj që Thomai ia ka respektuar. Përmasat e skulpturës që ka zgjedhur autori lidhen me qëndrimin e saj modest, të cilin e kërkonte me ngulm. (Ajo nuk pranonte të ulej në restorante, pasi thoshte se nuk më takon deri sa të jetë dhe i varfri i fundit në botë)

Skulptura e Nënë Terezës, vepër e skulptorit Thoma Thomai, shënon në galerinë e veprave për mjediset e jashtme të realizuara në këto vite një hap. Shkruaj hap----- pasi në shumë nga monumentet e realizuara artistët kanë mbetur te ngjashmëria e zakonshme e figurës, pa hyrë më thellë në jetën e figurës, për të zgjedhur nga ky ato pjesë për të cilat ia vlen evidentimi. Tjetër hap është dhe ruajtja e paprekur e stilit dhe e mënyrës së shprehjes së tij, sepse në disa raste për të fituar konkursin apo për të bërë një porosi, artistë të ndryshëm kanë një tjetërsim të stilit, gjë që na detyron e mendojmë për huazime apo inkonseguenca.

Skulptura si përmasë dhe si vëllim është gjetur në formë shumë interesante. Nënë Terezën ta kesh shumë afër kur t’i shkosh pranë. Proporcionet të duken pothuaj jetësore. Të mos kesh afër një heroinë të fryrë, që nuk mund t’i afrohesh për arsye të krenarisë, por një njeri gati të zakonshëm, i cili rri mbi një piedestal të ulët. Kjo pikë ka të bëjë dhe me një dëshirë të vetë asaj që Thomai ia ka respektuar. Përmasat e skulpturës që ka zgjedhur autori lidhen me qëndrimin e saj modest, të cilin e kërkonte me ngulm. (Ajo nuk pranonte të ulej në restorante, pasi thoshte se nuk më takon deri sa të jetë dhe i varfri i fundit në botë. shënim i autorit)

Në gjithë figurën e saj, si kolonë që është mjaft solide, ka dy vatra kryesore: portreti dhe duart, ndërsa për të rritur interesin për fundin e skulpturës, ai ka nxjerrë në pah një pjesë të këmbës. Skulptura fillon nga një pikë e rrumbullakët siç është koka dhe mengadalë vjen duke u zgjeruar te supet dhe pikën kulmore e arrin te duart.

Ato hapen dhe krijojnë një bazament. Aty fillon lëvizja, hapja e tyre përpara tregon dashuri dhe sikur i përkëdhel ato që e shohin është një lëvizje e butë e një njeriu të fortë. Po të dominonte portreti, atëherë skulptura rrezikonte të mbaronte lart.

Autori e ka ulur pak portretin dhe para nesh janë duart. Ato kanë një hapje jo të barabartë dhe kur je përballë ajo të dominon. Duke kujtuar sentencën e famshme që duart janë portret, ato marrin në këtë vepër pjesën me emocionante dhe bile janë kaq tërheqëse për mendimin tim, sa aty më duket se fillon skulptura. Ka arritur një nga plastikat më interesante të tij. Ato i kanë dalë “jashtë proporcionit”, janë triumfi i mendimit për të. Duken që janë ndjerë thellë. Janë duar të lodhura nga jeta, por mjaft të gjalla. Ato kanë pamjen e një njeriut që ka ende probleme për të zgjidhur, që i del koha vetëm të plaket, por jo të bjerë. Kockat e mëdha kanë një plastikë të gjallë. Secili gisht ruan karakteristikat e tij dhe pastaj në tërësinë e tyre ato formojnë duart me silueta të përgjithësuara, që kapen me një shikim. Janë rastet e rralla kur kombinohen arsyeja dhe pasioni. Ato kanë ndryshueshmërinë dhe veçantinë që kanë sytë, buzët, hunda, te kjo pjesë është dhe kadenca e Thomait. Me to, ai shpreh të gjithë virtuozitetin artistik.

Në këtë monument ishin disa detyra për t’u zgjidhur. Ajo vërtet është e përbotshme, por në fund të fundit është shqiptare. Në radhë të parë do të ishte vetëpërgatitja e Thomait për ta vlerësuar ai vetë figurën. Çfarë duhet të zgjidhte prej saj? Ishte ana fetare e saj, që është e fuqishme, duke u pranuar dhe si shenjtore, një gradim i rrallë për racën njerëzore. Kryqi që mbante vazhdimisht në dorë ishte një pjesë organike e figurës. Njëkohësisht në përfytyrimin tonë ende është e gjallë ajo, pasi pak vite kanë kaluar nga humbja. Nga ana tjetër ishte ana e saj humanitare në dobi të të varfërve dhe të pambrojturve, e cila ishte dhe pikënisja. Këto probleme nuk ishin të lehta për t’i zgjidhur qartë dhe cila linjë do të sundonte. Sa më shumë linja mendimi të ketë një vepër arti, aq më tepër dobësohet fuqia saj. Te kjo vepër sundon ana humane. Kjo ka një madhështi të heshtur, e cila zbulohet ngadalë, pasi rri pak para saj. Ajo nuk duket me shikimin e parë, por fillon me zgjatjen e shikimit. Pavarësisht dimensionit dhe pamjes fizike aspak të favorshme, ajo ka atë peshë dhe vlerë sikur të ishte dy-tre-fishi i përmasave. Thomai ka arritur atë shkallë profesionalizmi që arrin të bëjë ”magji” me anë të ndërtimit plastik dhe formave të ndryshme që kombinon në zmadhimin e emocionit. Pesha emocionale e saj të kujton madhështinë e monumenteve tona më të mira. si ato të Paskalit dhe Paços. Ajo është një ndjenjë e brendshme gati e pashpjegueshme, e cila nuk arrihet me llogari të ftohtë, por në ato çaste kur artisti përgatit brumin e veprës, kur ende njohja, respekti dhe adhurimi kanë sunduar krijuesin. Ajo erëz madhështie i është futur me kujdes dhe qe zënie. Figura me sa duket ka qenë e perceptuar shumë kohë më parë.

Thomai, në përgjithësi, në veprat e tij i mbulon emocionet me urtësi, duke i mbajtur të padukshme. Koka e ulur e statujës zhvendos mjaft simetrinë dhe i jep figurës një lëvizje të lehtë. Njëkohësisht vepra ka fituar dhe një notë poetike, që e bën shumë miqësore për shikuesin.

Skulptura është ndërtuar me freski interpretative. Palat herë të dukshme fort dhe herë më të buta deri në shkrirje rrethojnë trupin e kërrusur. Ato marrin pjesë aktive në krijimin e vatrave plastike në vende të ndryshme për të balancuar, fuqizuar apo qetësuar, sipas rastit, zonën. Palat e mëdha që zbresin nga lart-poshtë i japin figurës një monumentalitet të heshtur, vizatimi evidenton anën më të përgjithshme të figurës, duke e ruajtur skulpturën nga përçarjet që i bën dielli. Siluetat e krahëve të ngritur janë të fuqishme. Trupi i kërrusur është kapur me linja të vërteta dhe ekspresive. Asimetria në mes të pjesës së djathtë me të majtën te trupi është arritur me ndjeshmëri. Vepra ka në çdo pjesë zhvillime të reja, skulpturohet me forma të qeta, për t’i lënë vend pastaj kokës dhe duarve të dominojnë. Të bën përshtypje lidhja e kokës me trupin e kërrusur, që është bërë me sigurinë e një eksperience të gjatë. Gjetja e përpiktë e masës sa duhet të hyjnë te njëra-tjetra ka marrë pjesë fuqishëm në fuqizimin e karakterit.

Krijimi ruan freskinë e prekjes së parë, duke fshehur gjatësinë e kohës me të cilën është punuar. Pasurimi me fraktura të lehta i gjithë figurës është një dekor që vesh skulpturën rreth e rrotull. Kjo lloj qëndisje vijash dekoron në përgjithësi veprat e Thomait. Për këtë rast ai ka përdorur një dizajn të ri, më të veçantë. Ai është më i vizatuar, më aktiv dhe me lëvizje brenda vetes. Kjo radhitet te grupi i veprave skulpturore klasike tonat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›