Ligji, rriten pozitat e tatimorëve ndaj biznesit
Miratimi i ligjit "Për procedurat tatimore" pa marrë në konsideratë propozimet e shoqatave të biznesit, ka sjellë reagimin e këtyre të fundit. Ata e cilësojnë ligjin e ri të tatimorëve si shkelje të barazisë në një ekonomi tregu. Pas Dhomës Amerikane, ka reaguar dje dhe Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, sipas të cilës projektligji i paraqitur nga qeveria paraqet, përveç disa problemeve teknike që duhen riparë, edhe disa probleme konceptuale të rëndësishme që kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të administrimit tatimor bashkëkohor. Sipas nëndrejtorit ekzekutiv të shoqatës, Ilir Hebovija, me ligjin e ri "cenohet në mënyrë të qartë parimi i vetëdeklarimit duke paragjykuar bizneset dhe duke i dhënë fuqi të mëdha administratës tatimore". Sektori i ndërtimit konteston ashpër dy nenet e ligjit, 71 dhe 107, të cilat flasin respektivisht për vlerësimin tatimor dhe për masën e parapagimit të detyrimit dhe gjobës para se të kryhet ankimimi në gjykatë. Kështu, në nenin 71 jepen rastet kur përdoren metodat alternative për përcaktimin e detyrimeve tatimore. Ndërtuesit shprehin bindjen se administratës tatimore i janë krijuar hapësira të gjera dhe të tepërta të përdorimit të metodave alternative, "gjë që do të krijojë premisa shumë të përshtatshme për kontrollorë të pandërgjegjshëm për të vepruar në mënyrë arbitrare dhe korruptive". Sipas tyre, veprimi për të vlerësuar bilancin pa qenë nevoja të kontrollohet nga afër subjekti (pra, direkt nga zyra e tatimorit), vendos në vështirësi sidomos bizneset e rregullta dhe serioze. Lidhur me "nenin e gjobës" (107), Shoqata e Ndërtuesve e vlerëson si qëndrim ekstrem dhe të pakuptimtë. "Zbatimi i këtij neni bëhet akoma më i vështirë po të kemi parasysh faktin se është hequr si shkallë apelimi Komisioni i Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një farë pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të", tha Hebovija.