E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qemal Stafa”, tryezë në Shkodër: Në politikë mund të përballen të gjithë

 

Fondacioni "Qemal Stafa" në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike zhvilluan dje në Shkodër takimin e radhës me të rinj dhe të reja të Qarkut të Shkodrës, në kuadër të programit "Lider të së Ardhmes". Mbi 250 të rinj dhe të reja bashkëbiseduan me personalitetet e ftuara mbi temën "Intelektualët dhe Politika". Bashkëbisedimi synonte shkëmbimin e ideve mbi rolin e politikanëve në politikë, angazhimin e tyre dhe përfitimet e shoqërisë nga përfshirja e intelektualëve në politikë. Në hapje të këtij takimi, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri deklaroi se, "secili prej nesh i konsideruar veçmas, nuk mund të bëjë dot gjë për të ndryshuar mënyrën sesi vendi ynë shkon përpara. Është pikërisht kjo arsyeja që na bën të konsiderojmë imperativ domosdoshmërinë për t'u bashkuar me të gjithë ata që zotërojnë kapacitetin për të vlerësuar me sy kritik zhvillimet në këtë vend. Këta njerëz nuk janë domosdoshmërisht të majtë, por janë të gjithë ata njerëz që besojnë se Shqipëria mund të bëjë ndryshe, të gjithë ata që besojnë se këta që qeverisin sot nuk kanë mundësi dhe aftësi të bëjnë atë që ne kërkojmë për familjet tona, për qytetet tona, për vendin tonë". Ndërsa kostitucionalisti i njohur Genti Ibrahimi, e konsideroi politikën vendin ku çdo njeri mund të përballet dhe të përfaqësohet. "Politika është secili prej jush që çdo ditë, në shtëpi, shkollë apo punë, detyrohet të përballet jo vetëm me vështirësitë që shtron përpara situata e vështirë, por edhe akoma më shumë keqqeverisja. Për këtë arsye, duhet ta konsiderojmë politikën një mjedis ku secili prej nesh duhet të gjejë vetveten pa i lënë rrugë të lirë atyre që pikërisht nga mungesa e angazhimit tuaj, sillen në mënyrë të papërgjegjshme duke abuzuar me përfaqësimin tuaj", tha Ibrahimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›