E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet lënë pas llucën nëpër shtëpi

 

Balta e lluca zëvendësuan dje ujin, që mbuloi pjesën më të madhe të vendit. Qindra banorë e kanë pasur të pamundur të hyjnë dje nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa janë endur për të kërkuar ndihmë nga pushtetarët vendorë. Reshjet e dendura të shiut ditët e kaluara dhe mosfunksionimi i plotë i kanaleve kulluese sollën dhe dëmet e mëdha materiale në disa rrethe. Gjendje alarmante ka qenë dhe dje në Qarkun e Fierit, pasi shiu që vazhdonte nuk ka bërë të mundur largimin e plotë të ujërave. Vetëm në qytetin e Fierit dhe pikërisht në lagjet "1 Maji", "Liri", "Afrim i ri", "Mbrostar", "Kryengritja e Fierit" e "11 Janari" banesat e braktisura kanë qenë të shumta e po të njëjtin fat kanë pasur dhe disa biznese. Pronarët e tyre kanë kërkuar me ngulm vlerësimin e dëmit ekonomik të shkaktuar nga kjo përmbytje dhe dëmshpërblimin që u përket, pasi të tilla fatkeqësi, sipas tyre, ndodhin edhe për shkak të neglizhencës së vendorëve. "E lanë Gjanicën në këtë gjendje dhe ja ku u përmbytëm. Çdo vit ndodh e njëjta situatë, por këtë herë dëmet kanë qenë edhe më të mëdha", thotë pronari i një lokali në qendër të qytetit. Janë plot 50 banesa dhe 20 lokale ato që kanë pësuar dëme të mëdha, derisa janë braktisur fare nga pronarët e tyre. Shtabi i Emergjencës u ngrit menjëherë pas pasojave të para dhe vetë prefekti Shahin Bejdaj ka inspektuar zonën e prekur. Ai pohoi se institucioni që drejton do të nxjerrë dëmin ekonomik të shkaktuar nga përmbytjet për të parë më vonë mundësinë e zgjidhjes së problemit. Gjatë ditës së djeshme nuk është mundur të ndërhyhet, pasi pritet pushimi i reshjeve për të vepruar. Ndihmë ka ofruar dhe bashkia me anë të mjeteve dhe njerëzve për të pastruar objektet e përmbytura.
E njëjta situatë u paraqit dhe në qytetin e Vlorës e Sarandës. Kapitaneritë në të dy rrethet kanë urdhëruar pezullimin e lundrimit të trageteve në det, për shkak të motit të keq. Era e fuqishme, e cila arriti deri në 15 m/sek pezulloi punën në kalatën e përpunimit të trageteve si dhe të përpunimit të anijeve të mallrave. Ato dolën në radë për të evituar ndonjë përplasje të mundshme me kalatën apo me anijet e tjera. Trageti i linjës Brindisi-Vlorë arriti të ankorohej me shumë vështirësi. Por kapitaneria më pas e kaloi atë në radë, duke mos i dhënë "Ok" të nisej sërish drejt Italisë. Ditën e djeshme, në dy shkollat e mesme dhe tre 9-vjeçare në qytetin e Vlorës nuk u zhvillua procesi mësimor, për shkak se ato ishin të mbushura me ujë, ndërsa shtabi i emergjencave po punon për të zbardhur dëmet e shkaktuara.
Qindra hektarë tokë kanë qenë dëmet në Qarkun e Lezhës, të cilat dhe dje ndodheshin në ujë. Reshjet që vijuan edhe gjatë natës së kaluar bënë që situata të paraqitet alarmante në mjaft zona. Shkatërrimi i argjinaturës së Matit rrezikon qindra shtëpi banimi dhe mijëra ha të tjerë tokë që të përmbyten në Kurbin. Banorët e komunës në Fushë-Kuqe thonë se flenë me turne nga frika. Ata janë të detyruar të ndjekin situatën, duke qëndruar në panik se mos ujërat e lumit Mat dalin nga shtrati. Rrok Gjelishi, një banor i kësaj zone thotë se argjinatura e Matit është prishur nga firmat e inerteve. "Vërshimi i lumit rrezikon seriozisht shtëpitë dhe banorët", paralajmëron ai. Nën ujëra vijojnë të jenë disa hektarë në Mamurras. Ndërsa në Lezhë, në komunën Balldre, fshatin Torrovicë janë të përmbytura 120 ha tokë. Hidrovori i Balldrenit punon me ndërprerje si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.
Pakësimi i reshjeve ka bërë që situata alarmante e një dite më parë në Durrës të vihet nën kontroll. Dy hidrovorët e vetëm të Qarkut, i Porto-Romanos dhe ai i Hamallajt kanë punuar me maksimumin e kapacitetit të tyre. Vëllimi kryesor i punës për nxjerrjen e ujit nga tokat e përmbytura po kryhet në Porto-Romano, aty ku janë mbledhur të gjitha reshjet e rëna në ish-kënetë. Në Prefekturë janë ngritur grupe të gatshme pune, të cilat janë shpërndarë në terren në zonat më të rrezikuara. Ato përbëhen nga skuadra shoferësh, ekskavatoristësh dhe specialistësh të tjerë për përballimin e emergjencave në zhbllokimin e rrjetit kanalizues. Hidrovori i Porto-Romanos derdh në det një sasi prej 13 metrash kub ujë për sekondë. Ai punon me një kapacitet të reduktuar prej vetëm 70% për shkak të amortizimit të sistemit të pompimit gjatë pesë dekadave të fundit.

Shkodër, shirat bllokojnë Xhaminë e Plumbit

SHKODER - Shirat e rëna këto ditë po rrezikojnë seriozisht të humbasë vlerat e saj Xhamia e Plumbit, një prej monumenteve më të rëndësishme të Kulturës në Shkodër. E ndodhur pas kalasë së Rozafës, kjo xhami rrezikon të degradohet akoma edhe më tej si pasojë e përmbytjes nga dendësia e madhe e reshjeve të shiut të rëna ditët e fundit, ku niveli i ujit në themelet e kësaj kalaje është rritur ndjeshëm. Në një situatë të tillë të vështirë ndodhet e gjithë zona në lagjen Qafë, që ndodhet pas kalasë. Xhamia e Plumbit, ndërtuar në shekullin VIII, prej vitesh ishte lënë në harresë, pavarësisht vlerave të çmueshme historike dhe arkitekturore që mbart mbi vete ky objekt. Më së fundi, pas shumë përpjekjeve të Bashkisë Shkodër dhe të Myftinisë, për të bërë të mundur rikonstruktimin e kësaj xhamie, më në fund është gjetur mundësia e akordimit të një fondi prej 6 milionë lekësh nga ana e Ministrisë së Kulturës. Por ky investim duket se do presë gjatë, pasi fillimisht duhet të zgjidhet problemi i kanaleve të kullimit, me qëllim largimin e ujërave sipërfaqësore që e rrethojnë këtë objekt. Drejtoria e Bujqësisë, e cila menaxhon ndërhyrjet në këto kanale i ka dërguar një shkresë Bordit të Kullimit në Shkodër për të bërë të mundur zgjidhjen e këtij problemi, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim. Myftiu i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani thotë se është e pafalshme, që është krijuar një situatë e tillë, duke kërkuar nga institucionet përkatëse, që të mundësojnë zgjidhjen e problemit të kanaleve kulluese.         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›