Keni 4 muaj kohë për zgjidhjen e krizës
Shqipëria do të penalizohet për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimit Europian, në rast se nuk zgjidh brenda muajit nëntor ngërçin politik në vend. Ky ishte mesazhi që dha dje në Tiranë ambasadori jorezident i Belgjikës, Mark Mishelsen, gjatë një konference për shtyp, ku bëri publike edhe objektivat e Belgjikës përgjatë presidencës gjashtëmujore të BE-së. I shoqëruar nga ambasadori i Komisionit Europian, Lohan, dhe nga ambasadori i Spanjës, Montobio, ambasadori belg shprehu shqetësimin e BE-së për situatën e pazgjidhur politike në vend. “Për të ecur përpara duhen sinjale të pozitive nga politika e brendshme. Ne kemi shprehur shqetësimin për ngërçin politik në vend dhe moszgjidhjen e tij. Mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhjen e tij, përpara se KE të japë opinionin për Shqipërinë”, deklaroi Mark Mishelsen. Sipas tij, Komisioni Europian do ta japë opinionin e tij për progresin në Shqipëri në muajin nëntor, dhe deri në këtë kohë është e domosdoshme që palët të gjejnë kompromisin. Në lidhje me këtë çështje, Mishelsen u bëri thirrje partive politike që ta gjejnë zgjidhjen në mënyrë transparente dhe kushtetuese, duke pasur si bazë të saj rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar pak ditë më parë. “Shpresoj që rezoluta të lexohet në mënyrë të kujdesshme nga udhëheqësit politikë dhe partitë, dhe të përdoret si bazë për të ecur përpara”, theksoi ambasadori belg. Mishelsen theksoi se ai dje kishte zhvilluar takime me krerët më të lartë të vendit, si Kryeministrin Berisha, Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Por nga ana tjetër, ambasadori i Belgjikës deklaroi se ai së shpejti do të zhvillonte edhe një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën, dhe përfaqësues të tjerë të opozitës së vendit. Po dje, ambasadori theksoi se liberalizimi i vizave të shqiptarëve ishte një proces teknik, i cili nuk lidhej me situatën politike në vend. Vendimi për vizat e shqiptarëve, deklaroi Mishelsen, do të merret pasi ekspertët e KE-së të shikojnë nga afër progresin që pritet prej Shqipërisë në shumë fusha. “Mbeten tre kushtet që ka vendosur KE, të cilat duhen të përmbushen. Do të ketë një grup ekspertësh që do vijnë në Tiranë dhe do të vërtetojnë sa është arritur. Në bazë të kësaj do shikojmë si do ecim përpara. Nëse do ketë sinjal pozitiv, kjo çështje do shkojë në një nivel tjetër pozitiv”, theksoi ambasadori i Belgjikës. Sipas tij, vendi që ai përfaqësonte ishte i vendosur ta ndihmonte Shqipërinë në këto procese të rëndësishme.
#