E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligori-Topalli, replika në distancë

PS: Kryeparlamentarja harxhon 11 milionë e 178 mijë lekë për udhëtime. Kuvendi: Edhe deputetët e PS-së marrin dieta

Dietat e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë kanë ndezur debatin në distancë mes socialistëve dhe administratës së Kuvendit. Deputetja socialiste, Shegushe Ligore, ka ripërsëritur dje akuzat ndaj Kryeparlamentares Topalli, duke i drejtuar pyetjen se “përse shqiptarët u dashkan të paguajnë 11 milionë e 178 mijë lekë për udhëtimet turistike të Jozefinës në Shkodër”? I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kuvendit, i cili përpos se ka kundërshtuar deklaratën e deputetes Ligori, ka përmendur emra të deputetëve socialistë që përfitojnë dieta në të njëjtën mënyrë si Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. “Askush deri më sot nuk ka guxuar të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për dietat që përfitojnë në mënyrë të ligjshme, ashtu sikurse Kryetari i Kuvendit, edhe deputetët socialistë: Taulant Balla, Agim Leka, Armando Subashi, Ilir Bejtja, Gjovalin Kadeli, Eltar Deda, Gjok Jaku, Ervin Koçi, Klodiana Spahiu, Vangjel Tavo, Skënder Hasa, Armando Prenga, Astrit Beci, Fatos Tushe e të tjerë”, thuhet në komunikimin për shtyp të administratës së Kuvendit. “Kryetari i shoqes Shegushe, njeriu që urren Parlamentin, duhet të mësojë se Parlamenti, si çdo institucion tjetër, administrohet në bazë të rregullave dhe ligjeve dhe kontrollohet rregullisht nga institucionet e pavarura të ngarkuara nga Kushtetuta”, thuhet në deklaratën e administratës së Kuvendit. Pavarësisht kësaj, socialistët shprehin habi nëpërmjet deklaratës së deputetes Ligori, duke theksuar se, “kur shqiptarët varfëroheshin nga kriza ekonomike, kjo zonjë e ka shtuar pasurinë e saj me 33 milionë lekë vetëm nga të ardhurat e saj si kryetare e Kuvendit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›