E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mungon Shevçenko

01/02/2005  Sulmuesi i Milanit është dëmtuar në ndeshjen kundër Bolonjës, e si rezultat nuk do të jetë në “Qemal Stafa” në 9-të shkurt

Ka momente, kur gjërat ecin shumë më mirë nga sa mund të parashikohej. Pikërisht kjo ka ndodhur me Kombëtaren Shqiptare, e cila vetëm pak ditë nga përballja me një nga skuadrat më të forta të grupit eliminator të Botërorit, ka marrë një lajm që nuk mund të jetë veçse pozitiv. Kundërshtarët e radhës, që do të zbresin në stadiumin “Qemal Stafa”, në sfidën e 9 shkurtit, të cilët kryesojnë me meritë grupin e dytë, do të privohen nga lojtari i tyre më i mirë. Pas dëmtimit që ka marrë në ndeshjen e së dielës, në kampionatin italian, kundër Bolonjës, Andrij Shevçenko, nuk do të udhëtojë në drejtim të vendit tonë. Lajmi është zyrtarizuar vetëm gjatë ditës së djeshme, pas analizave mjekësore, të cilat kanë nxjerrë edhe kohën që do t’i duhet kampionit të Italisë dhe njëkohësisht fitues i “Topit të Artë” për vitin 2004, për t’u rekuperuar. Sipas lajmeve që bëhen të ditura nga të gjitha mediat e vendit të përtej Adriatikut, Shevçenko, pas kontaktit që pati me mbrojtësin Gamberini, ka pësuar një "traumë me ndrydhje dhe shembje, të shoqëruar me një plagë në artikulimin e trinës", me fjalë të tjera në qafën e këmbës. Për këtë arsye, pas vizitës së paradites me mjekun social, Masimiliano Sala, që ka bërë rezonancën magnetike dhe radiografike, është vendosur që Sheva do të qëndrojë për 15 ditë jashtë fushave të lojës. Kjo do të thotë që sulmuesi i renditur i treti, në listën e golashënuesve të Serisë A, do të mungojë në takimin e së mërkurës në Tiranë. Pas dëmtimit aspak të lehtë, i cili e ka detyruar ukrainasin që të përdorë edhe patericat, nuk është parë e arsyeshme, përdorimi i qepjeve. Gjithmonë sipas mjekëve, rikthimi i tij në fusht e lojës, do të mund të bëhet vetëm në datën 20 shkurt. Një dëmtim që është shndërruar në ankth për Kombëtaren verdheblu, të cilët do të privohen nga tërheqësi i skuadrës, i cili në përfaqësimet e tij, ka shënuar gjithsej 19 gola. Ashtu siç ishte shprehur trajneri i Ukrainës, Oleg Blokhin, vetëm disa ditë më parë: “Sheva është shqetësimi im më i madh”. Ndërsa tashmë, sulmuesi është shqetësimi më i madh i një shteti të tërë, përfaqësuesja e të cilit, mund të pësojë humbjen e parë në këtë fazë të eliminatoreve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›