E Diel, 1 Nëntor 2026

Lila rikthehet ne garen per titull ne Ligen e Pare franceze

Eden Hazard shënoi një gol dhe dha asistin e golit të dytë, ndërsa skuadra e Lilës ruan shpresat për të mbrojtur me sukses titullin kampion në Ligën e parë franceze, pas fitores 2-1 përballë Tuluzës.
Tashmë skuadra e drejtuar nga Rudi Garsia ka ngushtuar në vetëm katër pikë diferencën nga Montpelje dhe PSG, që ndajnë së bashku vendin e parë me 60 pikë të grumbulluara, edhe pse duhet theksuar se Montpelje ka një ndeshje më pak.
Në minutën e 12-të të takimit, Hazard shënoi nga 11-metrat duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Belgu u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi dërgoi në rrjetë një penallti që e fitoi vetë, pas faullit të shkaktuar nga kapiteni i Tuluzës, Daniel Kongre.
Më pas, fantazisti i Lilës i dhuroi Dimitri Pajet topin për golin e dytë, në minutën e 31-të dhe ai kishte detyrën vetëm ta shtynte sferën në rrjetë, duke mbyllur virtualisht sfidën dhe i dhuroi Lilës fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Tuluza shkurtoi shifrat në të 60-tën me Aurie, që shfrytëzoi një nga kundërsulmet e pakta të krijuara, por miqtë nuk kishin më shanse për të marrë të paktën një pikë, edhe sepse e mbyllën ndeshjen në inferioritet numerik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›