E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lindjet me para”, pesë mjekë nën akuzë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
“Trashëgimtari”

Pesë mjekë të maternitetit “Kiço Glozheni” vihen në hetim për mitëmarrje. Shefi i Klinikës Obstrike, dy mjekë dhe dy infermiere do të qëndrojnë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare pranë Policisë së Tiranës, sipas të cilave, mësohet se mjekët kryenin operacione dhe lindje normale kundrejt pagesave të majme nën dorë. Ndërsa denoncimet kanë ardhur nga personeli i spitalit dhe paciente që janë detyruar të paguajnë para për të sjellë fëmijët në jetë.
Masa
Gjykata e Tiranës ka firmosur dje kërkesën e policisë për pezullimin nga puna dhe lënien në masë arresti për pesë mjekë gjinekologë. Petrit Ferik Rexhepi, 56 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar, me profesion mjek dhe i punësuar si gjinekolog, Dritan Xhangolli, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i padënuar, me profesion dhe i punësuar mjek reaminator, Hyre Reçi, 54 vjeç, lindur në Pukë e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar infermiere-mami, Nilka Perhati, 57 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar infermiere-mami dhe Lefter Mano, 53 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion anestezist, të gjithë të punësuar pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” Tiranë.
Hetimet
Specialistëve të seksionit kundër korrupsionit u është dashur një hetim intensiv 8-mujor, i realizuar me teknika speciale të hetimit, në bashkëpunim me Njësinë Task Forcë për të finalizuar dje operacionin e koduar “Trashëgimtari”, ku janë vënë në arrest pesë mjekët për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se të dyshuarit kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në lindje normale dhe lindje me operacion, për disa shtetase.
Kallëzimet
Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi mbi bazën e disa kallëzimeve të kryera nga disa paciente, të cilat kanë deklaruar se stafi mjekësor i lartpërmendur ka përfituar prej tyre, një shumë të konsiderueshme parash, për ofrimin e shërbimeve mjekësore të mësipërme. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik - Financiar ekzektuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, nën akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Vendimet e Gjykatës, për ndalimin e tyre u ekzektuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar.

Mjekët e akuzuar
1. Petrit Rexhepi, 56 vjeç, me profesion mjek dhe i punësuar gjinekolog (Shefi i Klinikës Obstrike, pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” Tiranë).

2. Dritan Xhangolli, 38 vjeç, me profesion dhe i punësuar mjek reaminator, (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë).

3. Hyre Reçi, 54 vjeç, me profesion dhe e punësuar infermiere-mami, (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë).

4. Nilka Hasan Perhati, 57 vjeç, me profesion dhe e punësuar infermiere-mami (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë).

5. Lefter Mano, 53 vjeç, me profesion anestezist dhe i punësuar (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” Tiranë).
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›