E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi sfidon Euro 2012

Me të gjithë opinionin sportiv që ishte përqendruar në ndeshjet e para në Grupe të Euro 2012, në kontinentin amerikan u luajt supersfida që tërhoqi vëmendjen. Bëhet fjalë për miqësoren ndërmjet Argjentinës dhe Brazilit, të zhvilluar në Nju Xhërsi, SHBA.

Dueli mes dy rivalëve të përjetshëm të Amerikës Latine ishte spektakolar dhe u fitua me rezultatin 4-3 nga “albiçelestët”, ndërsa në duelin e yjeve Lionel Mesi dhe Nejmar, fitues i padiskutueshëm ishte tre herë fituesi i “Topit të Artë”.

Me tre gola të realizuar kundër Brazilit, ku rrjeta e fundit që i dha edhe fitoren Argjentinës ishte e denjë për “play-station”, Mesi ishte protagonist absolut. Kjo shfaqet edhe në një karikaturë, ku edhe pse në Euro 2012 në fushë janë luajtur Holandë-Danimarkë dhe Gjermani-Portugali, sipas statistikave “pleshti” ishte fitues. Lojtari i Barcelonës shënoi i vetëm tre gola kundër Brazilit, ndërkohë që në dy takimet e Kampionatit Europian u shënuan vetëm dy rrjeta.

Por, spektakli në Argjentinë-Brazil erdhi për disa arsye. Fillimisht sepse ndodhi që për herë të parë në histori, një miqësore ndërmjet dy rivalëve të përjetshëm të amerikës jugore të mbyllet me shtatë gola, por edhe sepse në fushë nuk munguan tensioni, grushtet dhe shkelmat, ku protagonistë u bënë mbrojtësi Marselo dhe sulmuesi Laveci, me të dy lojtarët që u ndëshkuan me karton të kuq.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›