E Hënë, 2 Nëntor 2026

Liqenasi, pika më e re në hartën turistike të vendit

05/06/2005  GTZ ka investuar në Prespë me rreth 1 milion euro kredi për banorët që do të kthejnë vilat në shtëpi pritje

Liqenazi do të jetë pika më e re e pushimit në Shqipëri, që do ta kthejë Prespën përfundimisht në një zonë turistike. Nuk do të ketë më turizëm rastësor në zonën më të bukur të Korçës, por turizëm familjar të organizuar, për të cilin GTZ-ja ka shpenzuar rreth 1 milion euro. Projekti për të bërë një nga fshatrat më të bukur buzë liqenit të Prespës, fshat turistik, ka ardhur natyrshëm nga bukuritë natyrore të vendit. Duket se GTZ-ja ka shfrytëzuar një risi turistike, duke investuar me projektin e saj 1 milion euro për Liqenazin, që ofron jo vetëm pushimin, por dhe të panjohurën e një liqeni, që deri dje nuk është frekuentuar nga shqiptarët.

Por duket se përveç bukurive të liqenit, Liqenazit i kanë munguar të gjitha llojet e infrastrukturave për t’u bërë një pikë pushimi dinjitoze. Mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, rrugëve, sistemi i mbeturinave, përbënin probleme që duhej të zgjidheshin përpara se familjarëve t’u akordohej një kredi për të ristrukturuar shtëpitë e banimit në shtëpi pritje. Kështu duket se është bërë e mundur të zgjidhet problemi i rrugës që të çon në Prespë, i kanalizimeve të ujërave të zeza pa ndotur liqenin dhe i sistemimit të mbeturinave. Por ajo që është më e rëndësishme, është akordimi i 50 mijë dollarëve për 20 shtëpi që do të kthehen në shtëpi pritje. “Të gjithë ata që kanë marrë kredinë, do të kthejnë në shtëpi pritje katet e para, duke vendosur çmime të arsyeshme për turistët“, ka bërë të ditur Thanas Tona, përfaqësues i Partisë Socialiste, në tryezën e debatit për politikat ekonomike në Qarkun e Korçës. Kështu, Korçës i është shtuar një qendër turistike, për të cilat planet janë të mëdha. Banorët e Liqenazit kanë rënë dakord të marrin kredinë me kushte lehtësuese, për të sistemuar shtëpitë e tyre, duke e kthyer edhe pse për një periudhë të shkurtër kohe në shtëpi pushimi. Dhomat do të kenë të gjitha akomodimet e nevojshme për familjet që do të frekuentojnë Liqenazin, duke patur madje dhe çmime konkurruese me tregun. Në këtë mënyrë, pronarët e vilave do të kenë mundësinë të bëjnë efektive dhe rentabël pronën e tyre për të kthyer dhe kredinë e më pas do të mund të shfrytëzojnë potencialin turistik të fshatit të tyre.

E gjitha kjo bëhet jo vetëm për t’i dhënë jetë turistike një fshati të bukur, por dhe për të orientuar politikat ekonomike mbi turizmin në Qarkun e Korçës, që duket se ka potenciale të mëdha për të zhvilluar turizëm. Infrastruktura relativisht e mirë nga Tirana në Korçë e më pas në Liqenaz, bën që turizmi i pikës më të re të pushimit të jetë i frekuentuar edhe për fundjavë. Kështu, Liqenazi kthehet në një pikë turistike që konkurron jo vetëm pikat e tjera turistike brenda vendit, por dhe pikat turistike në Prespën fqinje. Korça mund të krijojë kështu profilin e saj turistik me tri pika të forta pushimi, Voskopojën dhe Dardhën, me klimën malore dhe Liqenazin me liqenin e Prespës, duke mos patur nevojë të shfrytëzojë potencialet turistike të Pogradecit.

Korça dhe Pogradeci, tani konkurrentë për turizmin

Pikat e pushimit buzë Liqenit të Ohrit në Pogradec duhet t’i bëjnë llogaritë ndryshe për këtë zezon turistik dhe sezonet e ardhshme. Duket se Korça me pikën më të re të pushimit dhe bukuritë e natyrës së Prespës, do të konkurrojnë në radhë të parë Pogradecin fqinj. Problemet e shkarkimit të ujërave të zeza në Liqenin e Ohrit dhe mbeturinat e pasistemuara në shumë pika pushimi, buzë liqenit, kanë bërë që Pogradeci të humbasë një pjesë të mirë të turistëve që e frekuentonin çdo verë. Pikërisht, këtë çështje e ka zgjidhur Liqenazi, i cili në radhë të parë ka sistemuar problemin e ujërave të zeza dhe të plehrave, për t’i hapur rrugën një turizmi elitar, që do të ketë standarde të pranueshme për pushuesit. Aktualisht, në Shqipëri, kushdo që ka dashur të frekuentojë turizmin e Liqenit, i është referuar Pogradecit, pasi dhe në Liqenin e Shkodrës nuk mund të gjesh pika pushimi me nivel. Tashmë hartës turistike të Shqipërisë do t’i shtohet dhe një tjetër qendër pushimi në zonat liqenore, që pritet të ketë impaktin e vet në rritjen e fuqishme ekonomike të banorëve të zonës, por dhe të Qarkut të Korçës.

Voskopoja, turizmi historik i Korçës

Korça mburret me Voskopojën dhe historinë e saj, duke e konsideruar jo thjeshtë një pikë turistike, por dhe një qendër historike. “Ne nuk kemi vetëm turizëm malor apo liqenor, por dhe atë kulturor e historik, pasi ne kemi Voskopojën që i përfshin të gjitha“, ka deklaruar gjatë takimit me gazetarët ekonomikë përfaqësuesi i PS-së, Thanas Tona. Një nga pikat më të vjetra turistike të vendit, Voskopoja, vazhdon të frekuentohet gjerësisht nga turistët njëditorë që vijnë në Korçë, por dhe turistët e huaj. E përfshirë prej kohësh në hartën turistike të vendit, Voskopoja është menduar të jetë guri më i fortë në platformat elektorale turistike të të gjitha partive politike. Zhvillimi i turizmit në Korçë, do t’i japë përparësi kreditimit dhe zhvillimit të turizmit në Dardhë dhe Voskopojë. Sipas partive politike, shembulli i mirë i Liqenazit do të ndiqet dhe në Voskopojë, vetëm se banorët e Voskopojës janë treguar të gatshëm të investojnë paratë e tyre për ta kthyer Voskopojnë në një pikë turistike model. “Një pjesë e mirë e banorëve janë në emigracion, por janë njohur me projektin turistik dhe janë dakord të investojnë për të rikthyer edhe një herë vlerat e forta turistike dhe historike të Voskopojës“, bëjnë të ditur përfaqësues të partive politike në Korçë.

Premtimet e partive për turizmin

PS – Kredi për zhvillimin e turizmit

PD – Zhvillim të turizmit familjar dhe kulturor

PDR – Strategji rajonale për zhvillimin e turizmit

LZHK – Zgjidhje e çështjeve të pronës në zonat turistike

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›