E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maqedonia pushton tregjet e Korçës

05/06/2005  Importet e fqinjëve në tregun korçar janë rritur tetë herë, ato të Korçës drejt Maqedonisë asnjë herë

Prodhimet “Made in Maqedoni“ janë ulur këmbëkryq në tregun korçar, duke konkurruar fermerët vendës, por dhe agrobiznesin. Ekspansioni tregtar ka marrë më shumë dorë nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë dhe duket se agrobiznesi korçar dhe fermerët nuk po dinë si të mbrojnë tregjet e tyre nga ky sulm tregtar. Marrëdhëniet tregtare ku maqedonasit triumfojnë, po bëhet një problem për rajonin e Korçës dhe duket se të gjitha partitë politike kishin përzgjedhur një formulë të tyre për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. “Ne duhet të jemi koshientë që prodhimet tona janë jashtë cilësisë së kërkuar dhe kanë defekte të jashtëzakonshme, duke na bërë dhe vetë ne prodhuesve t’i drejtohemi për lëndë të parë fqinjëve“, thotë Servet Feka, përfaqësuesi i PDR-së. Kështu, duke iu referuar eksperiencës së vet, Servet Feka tregon se për të prodhuar rakinë cilësore të rrushit, mbështetet më shumë në prodhimin maqedonas se sa tek ai shqiptar. “Unë e marr 50 për qind të lëndës së parë në Maqedoni, pasi rrushi ’tokai’ me të cilin ne punojnë atje, është më i mirë, ndërsa këtu rritet në duar të pasigurta“, thotë Feka. Kështu, fermerët vendës, edhe pse kultivojnë të njëjtin varietet rrushi si në Maqedoni, kanë demonstruar se nuk kanë cilësinë dhe as marketingun e nevojshëm për të konkurruar fqinjët dhe kjo u humbet dhe kontratat me vendësit. “Këtu janë ekspertë bujqësorë ata që deri dje ishin punëtorë fushe“, kujton Feka një nga problemet themelore që kalon bujqësia dhe industria e agrobiznesit në Korçë. Përballë këtij realiteti, të gjitha partitë kanë ofruar zgjidhjen e tyre. Kështu, PS-ja premton se do të bëjë të mundur ngritjen e një tregu gjigand në Korçë, ku të gjithë prodhuesit të gjejnë hapësirën e tyre për të tregtuar me pakicë prodhimet e veta, ose t’ua shesin ato tregtarëve të vegjël. “Ne do të bëjmë të mundur ngritjen e tre tregjeve rurale për të qenë sa më pranë fermerëve“, thotë përfaqësuesi i PS-së, Thanas Tona. Duket se sektori i bujqësisë, sidomos ai i agrikulturës, do të marrë një zhvillim të madh në rajonin e Korçës, pasi nga 800 mijë rrënjë fruta, mendohet që deri në 2009-ën të shtohen me 1.2–1.7 milionë rrënjë, duke siguruar një prodhim që ia kalon dhe Maqedonisë. Nga ana tjetër, PDR-ja mendon se me ardhjen në pushtet do të bëjë të mundur përgatitjen e kontratave të punës mes fermerëve dhe shitësve me pakicë për prodhimin si dhe kontratave më specifike me prodhuesit e mëdhenj të agrobiznesit. Kështu për çdo sektor prodhimi do të bëhet e mundur përgatitja e një kontrate, e cila do ta çojë qumështin apo mishin dhe frutat e fermentit në tregun e duhur dhe pa humbje.

Nga ana e vet, LZHK-ja ka një ide më konkrete, duke propozuar kontrata të sigurta dhe të fuqishme për fermerët që kanë mbi 5 ha hapësira bujqësore dhe që sigurojnë prodhim në cilësi dhe në sasi për prodhuesit vendës. “Por kjo do të bëhet duke zgjidhur më parë çështjen e pronës“, thotë përfaqësuesi i LZHK-së.

Premtimet e partive për çështjet e agrobiznesit

PS – Ngritja e një tregu qendror dhe tre tregjeve rajonale

PD – Strategji zhvillimi për orientimin e agrobiznesit

PDR – Përgatitja e kontratave specifike mes prodhuesve dhe fermerëve

LZHK – Kontrata të sigurta për fermerët me mbi 5 ha tokë

Korça, Qarku më i pasur i vendit

Llogaritja e të ardhurave për frymë në Shqipëri, tashmë ka kapur nivelin e 3600 dollarëve për frymë, sipas Raportit të OKB-së për 2004. Duket se ajo që ka kontribuar në këtë mesatare, është niveli i lartë i jetesës në Qarkun e Korçës. “Ne kemi nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë në të gjithë vendin”, thotë Themi Xheku, përfaqësues i PS-së në Korçë. Por platforma politike e kësaj partie parashikon që në 2008-ën niveli i të ardhurave për frymë në qytet të shkojë në 5 mijë dollarë dhe ai në fshat në 4 mijë dollarë për frymë. “Ne premtojnë të vazhdojmë të ruajmë gjatë këtij katërvjeçari nivelin më të lartë të jetesës në 12 qarqet e vendit“, premtojnë përfaqësuesit e PS-së. Kështu të gjitha partitë politike mendonin se agrobiznesi është pika më e fortë e zhvillimit të rajonit, duke u ndjekur nga turizmi dhe më pas ndërtimi. Janë pikërisht këto tre sektorë, ku do të sulmohet më fort me strategji dhe politika zhvillimi për të patur efekte reale në uljen e papunësisë dhe të varfërisë. Sipas PD-së, biznesi i mesëm dhe i vogël është e ardhmja e ekonomisë korçare dhe PD-ja do të bëjë të mundur të aplikojë dhe në Korçë si në të gjithë vendin politika lehtësuese fiskale. Nga ana tjetër, PS-ja ofron projekte për modernizimin e punishteve dhe qendrave prodhuese me teknologji avanguard, për të bërë të mundur që të konkurrohet në tregun vendës dhe në atë të rajonit me cilësi dhe sasi. LZHK-ja premton se do të bëjë të mundur që me zhvillimin e biznesit në fushën e agropërpunimit, të krijojë një treg të përbashkët rajonal, Maqedoni-Kosovë–Shqipëri, ku prodhimet vendëse do të konkurrojnë denjësisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›