E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni i Kurjanit del nga shtrati e përmbyt 100 shtëpi

Fier Situatë e rëndë në të gjithë qarkun. Probleme serioze në rrugët kombëtare

Shpërthen rezervuari i Kurjanit, përmbyten 100 shtëpi. Sipas kryetarit të Komunës, Rajmond Plaka, uji ka përparuar jo vetëm në tokat bujqësore, por edhe në banesa. Banorët e tmerruar nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë, pasi niveli i ujit rritej me shpejtësi. Sipas banorëve, situata ka qenë një katastrofë e vërtetë dhe atyre u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Komuna Kuman menjëherë ka ngritur shtabin e emergjencave civile. Mjetet teknologjike, si skrepa e traktorë, por edhe mjaft punonjës e banorë, për shumë orë me radhë janë përpjekur për të ndërtuar prita ndaj ujit. Rreth orës 16:00, pas ndërhyrjeve të komunitetit të alarmuar dhe shtabit të emergjencave, niveli i ujit ka nisur të bjerë në mënyrë të papërfillshme. Ndërkohë që reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë rikthyer situatën e rëndë të përmbytjeve në të gjithë territorin e Qarkut të Fierit. Përmbytjet janë kthyer në shqetësim për automjetet dhe kalimtarët. Po ashtu, këto përmbytje kanë bërë që mjaft lagje të qyteteve të qarkut, si në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, Roskovec e Patos, të izolohen dhe për pasojë banorët e tyre të mbesin pa përmbushur lëvizjet e parashikuara. Po ashtu edhe fshatra të tërë në të gjithë zonën rurale të Qarkut të Fierit e kanë pasur të pamundur komunikimin mes tyre.

Lumenjtë Gjanicë, Vjosë dhe Seman, ashtu si dhe në ditët e shkuara të shoqëruara me reshje shiu, kanë shtuar kuotat e prurjeve të tyre, ndërkohë që kanë shkaktuar përmbytje te ndërtesat që ndodhen pranë brigjeve. Ndërkohë, akset kombëtare si Fier-Ballsh, Fier-Lushnjë dhe Fier-Vlorë kanë paraqitur vështirësi në qarkullim, pasi uji ka pushtuar asfaltin. Në hyrje të autostradës, ashtu si edhe në ditët e tjera me shi, rruga është bllokuar nga lartësia e ujit. Shtabi i emergjencave civile në prefekturë po mban lidhje të vazhdueshme me shtabet e ngritura pranë njësive vendore, ndërkohë që kërkohet vigjilenca e autoriteteve më të larta në qeveri për situatën e rëndë të krijuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›