E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet dheu, dëmtohet diga e rezervuarit të Koshnicës

Devoll

Shkarjet e dheut kanë dëmtuar digën e rezervuarit të Koshnicës në zonën e Devollit. Rrëshqitjet masive kanë çuar në çarjen e digës dhe sipas specialistëve të bordit të kullimit dhe shtabit të emergjencave, rrezikohet që ujërat e rezervuarit të shkaktojnë përmbytje në toka dhe në disa banesa në afërsi të këtij rezervuari. Mjetet dhe ekskavatorët e kanë pasur të pamundur të kryejnë punime në këtë zonë në mungesë të rrugëve, ndërsa rrëshqitjet që kanë nisur vite më parë kanë avancuar më tej duke shembur një pjesë të madhe të digës në një anë të saj. Pas shkarjes së dherave janë marrë masa për hapjen e ujëlëshuesve për të lehtësuar nivelin e ujërave të rezervuarit pas mbushjes së tij nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës. Një pjesë e ujit të rezervuarit është zbrazur nga ujëlëshuesit e hapur që kalojnë ujërat në lumin Devoll, ndërkohë që nga ana e shtabit të emergjencave dhe bordit të kullimit është kërkuar një fond për ndërhyrje në këtë digë. Nga ana e specialistëve është përgatitur një raport për Ministrinë e Bujqësisë mbi gjendjen dhe do të kërkohen fonde që të ndërhyhet për shmangien e rrezikut që sjell çarja e pjesshme e digës së rezervuarit të Koshnicës. Shefi i zyrës së emergjencave civile në Prefekturën e Korçës, Dhori Cekrezi, ka bërë të ditur se rezervuari i Koshnicës ka një kapacitet ujëmbledhës prej 5 milionë metra kub. Sipas tij, rreziku i shembjes së digës vjen nga prurjet e mëdha të ujërave në këtë sezon.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›