Prurjet maksimale, Fierza nis shkarkimet
Prurjet në liqenin e Fierzës po rriten ndjeshëm dhe niveli është fare pranë kapacitetit maksimal. Pas një hezitimi disaditor, KESH-i vendosi dje pasdite hapjen e portave të hidrocentralit më të madh në vend, duke lejuar shkarkimin e 500 metrave kub ujë në sekondë. Rikthimi i reshjeve intensive në rajonin e verilindjes së Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoni ka shtuar ndjeshëm prurjet në lumin Drin. Burime nga Fierza konfirmuan se prurjet natën e shkuar kanë shkuar në rreth 3 mijë metra kub në sekondë, një nivel tepër i rrallë që siç mësohet, arrihet një herë në 30 vite. Sipas të dhënave të fundit, vetëm gjatë ditës së fundit niveli në liqenin e Fierzës është rritur rreth 1 m. Kështu niveli i ujit të liqenit të Fierzës shënon 294 m nga rreth 293 m që ishte një ditë më parë.
#