E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Përmbytjet nuk do të jenë si ato të janarit

Deklarata Ministri i Energjetikës flet edhe për borxhet ndaj OSSH-së: Qeveria do të paguajë

Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, qeveria do të shlyejë të gjitha borxhet e krijuara prej mospagesës së faturave të energjisë nga ana e institucioneve shtetërore. Ministri u prononcua për këtë çështje dje, gjatë inaugurimit të një nënstacioni të ri elektrik në Fier. Ai pranoi gjendjen e rëndë në kaskadën e lumit Drin, por tha se situata po menaxhohet në një mënyrë të atillë që portat të mos hapen. Ja si iu përgjigj Prifti pyetjeve të gazetarëve për borxhet e shtetit tek OSSH-ja dhe situata në kaskadën e Drinit:

Zoti Prifti, a ka negociata konkrete nga ministria që ju drejtoni lidhur me borxhet e faturave të energjisë që institucionet shtetërore kanë krijuar ndër vite kundrejt OSSH-së?

Ne kemi pasur diskutime me kompaninë çeke dhe kemi filluar që të bëjmë gati pagesat për institucionet shtetërore që janë debitorë. Kryesisht debitorë janë ndërmarrjet e ujësjellësve. Ato kanë pjesën më të madhe të borxhit. Debitorë të mëdhenj janë edhe disa nga kompanitë e naftës. Nga Ministria e Financës ka ardhur një urdhër për të gjitha zyrat e thesarit, për të bërë pagesat e energjisë. Sidoqoftë ne kemi marrë përsipër si shtet që borxhi të shlyhet 100 për qind.

Duke u kthyer te çështja e Fierzës, do të ketë hapje të portave të saj, pasi situata që raportohet është mjaft e rëndë?

Ne kemi vendosur që Fierza të mos hapet. Të paktën komisioni që është në ministri dhe sekretariati teknik që menaxhon kaskadën e lumit Drin ka vendosur që të respektojë rregulloren dhe Fierza të mos ketë shkarkime deri në nivelin 296 m. Besoj se kështu do të bëhet.

Do të ketë rikthim përmbytjesh në zonën e Nënshkodrës, pasi sinjalet e para janë dhënë?

Nuk besoj se do të kemi një rikthim të përmbytjeve në nivelet që ishin në fund të muajit të kaluar, por sigurisht që rreziku ekziston. Ne vetëm gjatë natës së të martës, duke aguar e mërkura, kemi pasur prurje në një kuotë të tillë rreth 3 mijë metër kub në sekondë. Në Fierzë ende prurjet konsiderohen të jashtëzakonshme dhe shumë të larta. Jemi duke u përpjekur ta normalizojmë dhe menaxhojmë situatën. Zoti Stojku dhe zoti Balla, që drejtojnë dy kompanitë shtetërore (KESH dhe OST) që bëjnë menaxhimin e situatës ndodhen 24 orë në krye të detyrës. Kështu që unë kam besim se edhe këtë situatë do ta kalojmë shpejt.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›