“Liqeni i Shkodrës nuk përbën asnjë rrezik për zonat e banuara”

Ministri i Bujqësisë Genc Ruli garanton pronarët e tokave të përmbytura se do të kompensohen për dëmet e shkaktuaraMinistri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi dje në Shkodër se qeveria do kompensojë në mënyrë të përpiktë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Sipas ministrit Ruli, në bashkëpunim me njësitë përkatëse vendore do të ngrihen komisionet e vlerësimit për të përllogaritur dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit. “Për sa u takon dëmeve në toka bujqësore, jo më shumë se 25 për qind kanë qenë të kultivuara. Megjithatë, menjëherë pas ngritjes së komisionit të vlerësimit në bashkëpunim me njësitë vendore do të fillojë kompensimi i dëmeve”, u shpreh Ruli. Gjithashtu, ministri i Bujqësisë iu referua edhe liqenit të Shkodrës, i cili është ende në kuota shumë të larta. Ruli tha se fryrja e liqenit nuk përbën asnjë rrezik për zonat e banuara. “Liqeni është përsëri në kuota të larta pasi shkarkueset e Bunës janë të bllokuara. Situata nuk është problematike, dhe zonat që preken nga fryrja nuk janë zona banimi, por më shumë zhvillime urbanistike të bëra në mënyrë kaotike vitet e fundit”, deklaroi ministri Genc Ruli. Për sa i takon rrezikut të humbjes së jetëve njerëzore, ministri Ruli tha se tani nuk mund të flitet më, për një rrezikshmëri të tillë. “Kemi të bëjmë me një moment kthese dhe shpresojnë të jetë e qëndrueshme. Dua të shtoj se janë pakësuar prej 40 për qind prurjet në kaskadën e Drinit. Shkarkimet do të vijojnë, derdhjet janë 300 m3 më të ulëta se sa dje. Situata hidrike nuk do të ketë përkeqësim, përveçse po përballojmë të përditshmen, është gjithçka gati të fillohet të vlerësohet se ku janë dëmet. Investimi i parë që do të bëjë qeveria do të jetë rehabilitimi i veprave të dëmtuara. Një element i dytë është fillimi i vlerësimeve të dëmeve të bëra, banesa, pasuri private, bagëti dhe kultura bujqësore, Ministritë do të bëjnë vlerësime totale në varësi të fushës që mbulojnë”, tha më tej, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. ...