Liri Berisha: E drejta e gruas, pjesë në të gjitha programet e qeverive
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka organizuar sot takim me rastin e ditës së gruas. Në këtë mbledhje është prezantuar politika e Qeverisë për kategorinë e femrave. Ministri i Punës dhe Çështjes Sociale, Spiro Ksera, tha se ligji “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, si dhe “Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje” përcaktojnë masa të qarta dhe sanksione konkrete për përmirësimin e statusit të gruas. Në këtë takim, ishte e pranishme zonja Liri Berisha, e cila në fjalën përshëndetëse të saj, tha se përpjekja e shoqërisë sonë për të vënë në vend çdo dinjitet gruaje të nëpërkëmbur nuk mund të jetë e izoluar, por pjesë e një bashkimi dhe vlerësimi shoqëror dhe kulturor. “Krenarinë tonë dhe si të thuash, privilegjin tonë të veçantë ne e kemi me misionaren më të madhe në botë, që është Nënë Tereza, e cila i shërbeu grave të vuajtura, të braktisura. E drejta e gruas tashmë është pjesë në të gjitha programet e qeverive”, vlerësoi zonja Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.