Tahografi,gjoba për mjetet që nuk e kanë
Aplikim të gjobave dhe penaliteteve të tjera për ata që nuk zbatojnë pikat që sanksionon ligji për “Kodin Rrugor” lidhur me përdorimin e “tahograf”-it. Vendimi i miratuar dje gjatë mbledhjes së Qeverisë, sjell ndryshimet e radhës dhe propozon edhe masat ndëshkuese për shkeljen e rregullave, që lidhen me mbajtjen e tahografit. Për ata që supozohet se duhet të pajisin mjetin me këtë aparaturë dhe nuk e zbatojnë apo mundohen të bëjnë abuzime, vendimi parashikon gjoba nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë. Masa ndëshkimore me gjobë dyfishohet, kur janë prekur vulat ose është ndryshuar tahografi. Edhe për ofiçinat e tahografit që merren me instalimin apo aktivizimin e kalibrimit ka ndryshime ku shkelja e dispozitave të përcaktuara për këtë veprimtari nga ana e këtyre ofiçinave dënohet me gjobë nga pesëmbëdhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë. Masat ashpërsohen në rast se abuzimi vazhdon. Këto ndryshime priten që të shkojë në Parlament, por sipas Kodit miratimi kërkon 84 vota të cilat mazhoranca nuk i ka çka do të thotë se miratimi nuk ka një afat të përcaktuar. Hartimi i akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji duhet të bëhet brenda 12 muajve nga Qeveria dhe Ministria e Transporteve.