E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i Elezajt, hetim dy mjekëve

04/08/2011  Dyshohet se ekspertët raport me të dhëna të rreme mbi shëndetin e biznesmenit të naftës Hajri Elezaj

Verifikim raporteve mjekësore, administratori i “Euroil” dhe “Lajthiza” prej një jave në kërkim

TIRANE- Dy ekspertë mjekoligjorë janë duke u verifikuar nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi dyshohet se ata kanë dhënë konkluzione të rreme në raportin e tyre mjekësor për përcaktimit e diagnozës së biznesmenit të “Euroil” Hajri Elezaj. Momentalisht hetuesit janë fokusuar me tepër në tërheqjen e raporteve dhe konkluzioneve që mjekët e spitalit të burgut kishin nxjerrë rreth gjendjes shëndetësore të Hajri Elezajt për t’i krahasuar më pas ato me konkluzionet e nxjerra nga dy ekspertët mjekoligjorë, të cilët në aktekpertimin e tyre e pasqyronin gjendjen shëndetësore të Elezajt si shumë të përkeqësuar. Mbi bazën e këtij raporti, që hetuesit kanë ngritur dyshime të arsyeshme për falsifikim, gjykata e Tiranës vendosi më 4 korrik të lirojë nga burgu biznesmenin e akuzuar për kontrabandën e naftës virgin Hajri Elezaj. Duket se hetimet e njësisë hetimore Task-Forcë rreth këtij skandali pritet të thellohen akoma më tepër në muajin shtator, periudhë kjo që shënon dhe përfundimin e pushimeve verore për prokurorët. Pritet që në muajin shtator përfaqësuesit e njësisë antikorrupsion të marrin në pyetje mjekët që hartuan aktekspertizën si dhe në të njëjtën kohë në pyetje duket se do të merret dhe mjeku i burgut ku ishte izoluar biznesmeni i arrestuar Hajri Elezaj. Vendimi për të hetuar praktikën e dhënies së aktit të ekspertimit mjekoligjor u mor menjëherë pas vendimit një javë më parë të Gjykatës së Apelit, e cila e rikthente në burg Hajri Elezaj. Ky i fundit pas këtij vendimi ka përkeqësuar akoma dhe më tepër pozitën e tij juridike në çështjen e kontrabandës së naftës virgin, pasi nuk i është bindur vendimit të gjykatës, duke zgjedhur të fshihen në banesa të tjera, për të cilat prokuroria dhe policia s’kanë asnjë informacion mbi vendndodhjen e tyre. Kaq ka mjaftuar që prokuroria e Tiranës të dyshojë mbi vërtetësinë e aktit të ekspertimit të përpiluar nga dy mjekë dhe për pasojë ka vendosur të kryejë veprime hetimore për zbardhjen e çështjes. Këtij hetimi do t’i bashkohet dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, që jo vetëm që nuk e ka marrë të mirëqenë aktekspertimin, por ka urdhëruar që gjatë qëndrimit në qeli Elezaj të mjekohej në ambientet e burgut dhe të mos i ndalohej për asnjë çast kujdesi mjekësor. Prej shtatë ditësh biznesmeni i naftës vazhdon të qëndrojë i fshehur dhe është shpallur në kërkim nga policia. Nga njësia hetimore Task-Forcë Elezaj konsiderohet si truri i kontrabandës së naftës, pasi falë ndërhyrjeve të tij dhe veprimeve të tjera kriminale ai ka mundur të kryejë kontrabandimin e rreth 80 mijë tonë naftë të llojit virgin. Për këtë aferë kriminale u arrestuan 13 persona dhe momentalisht asnjëri prej tyre nuk ndodhet i izoluar në burg.

Shoferët e penduar

Gjashtë shoferë të kompanive “Euroil” dhe “Fisheku” kanë bashkëpunuar me njësinë hetimore Task-Forcë, duke treguar të gjithë praktikën e kontrabandës së naftës virgin. Ata i kanë treguar prokurorisë se naftën virgin e merrnin në “ARMO” me urdhër të biznesmenëve Iliaz Fisheku dhe Hajri Elezaj dhe me autobotet e shpërndanin atë në dhjetëra karburante të ndryshme. Nafta e papërpunuar përzihej me naftën e pastër dhe më pas ajo tregtohej si naftës e cilësisë së parë dhe çmimi i saj për periudhën 2007-2009 ishte 130 lekë litri. Aktualisht gjashtë shoferët janë liruar nga burgu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›