Lirimi i banesave pronaret kundershtojne opoziten

Arsyetimi i opozitës, sipas të cilit lirimi i shtëpive të pronarëve shkakton një impakt të rëndë social, kundërshtohet nga përfaqësues të tyre. Këta të fundit, e vlerësojnë aktin normativ që vendos 1 nëntorin si afat përfundimtar për lirimi e banesave, si respektim të së drejtës së pronës që ka çdo qytetar. Por, përfaqësues të opozitës e shohin këtë vendim si të padrejtë pasi sipas tyre, do të shkaktojnë problem social, për banorët.
Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Pronarëve, në gjykatën e Strasburgut kanë mbërritur tashmë disa ankesa për çështjen e banesave legjitime të pronarëve, të cilët janë zënë nga qytetarët të tjerë.
Tashmë përmes aktit normativ përshpejtohet procedura e nxjerrës së banorëve nga shtëpitë e pronarëve. Në këtë pikë gjykata është e detyruar të nxjerrë për llogari të kërkesës shtetërore një urdhër ekzekutiv, i cili i jepet pronarit legjitim. Me këtë urdhër pronari mund të drejtohet në zyrën e një përmbaruesi privat dhe të nxjerrë jashtë banesës së tij, qytetarët që e përdorin atë prej disa vitesh.
Akti normativ është miratuar nga qeveria në fillim të muajt gusht dhe gjatë kësaj periudhe Enti Kombëtar i Banesave është angazhuar në pastrimin e një liste prej rreth 3200 banesa të zëna. Shumica e këtyre familjarëve mendohet se kanë mundësi të tjera banimi. Për ata që nuk kanë mundësi, shteti ka mundësuar marrjen e një kredie me interes zero për 30 vjet.