Lirohen tre nga 4 vëllezërit, arrestohet një tjetër
19/02/2005 SHKODËR - Intensifikimi i punës së komisariatit të policisë të Qarkut Shkodër për kapjen e të arratisurit të tretë nga dhomat e paraburgimit të këtij komisariati ka bërë të mundur dje kapjen e një strehuesi tjetër të tij. Shtetasi i arrestuar dje është Pal Braçi, 37 vjeç, nga fshati Barxoll, i Shllakut. Informacionet e ardhura në polici vërtetonin se ky shtetas e kishte strehuar Dakën në banesën e tij, duke e ngushtuar rrethin territorial të vendndodhjes së të kërkuarit. Pas marrjes së informacionit, policia ka shkuar në këtë fshat të largët dhe ka bërë arrestimin e Braçit. Përveç implikimit në fshehjen e Dakës, ky shtetas është arrestuar edhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrollit që u bë në shtëpinë e tij iu gjetën edhe një automatik dhe një pushkë. Pas gjetjes së provave se Daka kishte mbërritur deri në zonën e thellë të Shllakut, forcat e policisë kanë bërë kontrolle të shumta në zonë dhe pu punojnë për të bërë të mundur kapjen e tij. Ndërsa Gjykata e rrethit Shkodër ka liruar dje tre djemtë e familjes Neçaj, të cilët ishin arrestuar nga policia si bashkëpunëtorë të strehimit të Bujar Dakës. Kanë qenë prokurorët ushtarakë Agron Bushati dhe Frederik Laloshi, të cilët kanë kërkuar që vetëm njëri vëlla të qëndronte në dhomat e paraburgimit. Gjykatësja e seancës, Marina Rraboshta, ka dhënë masën e ndalimit me burg pa afat për Pal Neçaj dhe ka liruar vëllezërit e tjerë Fatmirin, Kujtimin dhe Prelën, të cilët rezultojnë se nuk janë implikuar në bashkëpunimin e të vëllait me të arratisurin Daka.