E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: G99 e gatshme në zgjedhjet e reja

 

Grupi më i ri, G99 do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këtë fakt e ka bërë publik, vetë kreu i kësaj lëvizjeve, Erjon Veliaj gjatë zhvillimit të Asamblesë së parë të këtij forumi. "Do të na shikoni në atë opozitë, që mbron interesat e qytetarëve shqiptarë dhe në atë opozitë, e cila sot është shumë herë më e madhe se opozita e partive. Jemi gati me kandidatë konkretë, jemi gati me qytetarë që do të angazhohen në çdo nivel të qeverisjes së ardhshme, me pak fjalë ne jemi gati për ndryshim", deklaroi Veliaj. Në fjalën e tij, kreu i G99 theksoi se "kudo që kemi shkuar, me këdo që kemi punuar dhe folur, kemi vëne re një energji pozitive të jashtëzakonshme. Ne sot po përgatitemi, që këtë energji ta vëmë në dispozicion të një fushate fantastike në 2009, sepse ne besojmë dhe duam një shtet që punon për qytetarët dhe jo që i vret si në Gërdec, jo një shtet që i vjedh ata nëpërmjet korrupsionit dhe që i lë injorantë me një buxhet të varfër arsimi". Veliaj bëri thirrje për një pjesëmarrje më intensive së të rinjve dhe të grave në politikë, duke thënë se ata janë të keq përfaqësuar deri më tani. "Ne sot fillojmë të punojmë që me krenari të mund të themi në të ardhmen tonë 'Unë isha atje, unë isha pjesë e ndryshimit!", përfundoi Veliaj. "G99" bëhet e para dhe e vetmja lëvizje në vend ku të gjithë anëtarët që do të kontribuojnë me dhurimet e tyre vullnetare, kanë në pronësi të përbashkët vizionin dhe qëllimet e lëvizjes. Takimi u hap me miratimin zyrtar nga këshilli i G99 i të gjithë anëtarëve të rinj të regjistruar tek G99 dhe me pagesën e kontributeve të anëtarësisë. Në Asamblenë e Parë kjo lëvizje ka ligjëruar mbledhjen e kuotave të anëtarësisë në fondin e përbashkët "Aksion për Ndryshim". Pagesa e anëtarëve themelues është 5000 lekë të reja në vit, ndërkohë që pagesa për të rinjtë dhe studentët është 1000 lek. Dhurimet vullnetare për G99 u bënë edhe nëpërmjet internetit, ku G99 bëhet e para lëvizje që ofron këtë mundësi bashkëkohore në faqen e saj online. Ndërsa, gjithë zhvillimi i Asamblesë ishte zhvilluar në mënyrë tjetër, të stilit të fushatës që po zhvillon Barak Obama, kandidati demokrat për president të SHBA-së. Pas diskutimeve të disa të ftuarve dhe të përfaqësuesve të Lëvizjes, Asambleja vijoi me diskutimin e vizionit dhe shtyllave strategjike të filozofisë dhe aksioneve të G99 për fushatën e saj, ku ky grupim do të konkurrojë elektoralisht në krah të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›