E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet banesa, dyshohet zjarrvënia e qëllimshme

Kryefamiljari kishte humbur jetën gjashtë vjet më parë, në një tjetër zjarr që përfshiu shtëpinë


LEZHË - Një banesë është djegur plotësisht në fshatin Balldre të Lezhës në orët e para të ditës së mërkurë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Zjarri ka rënë pak pas mesnate dhe fatmirësisht në momentin që kanë rënë flakët, brenda në shtëpi nuk ndodhej asnjë prej pjesëtarëve të familjes.

Edhe pse prania e zjarrfikësve ka qenë mjaft e shpejtë, nuk është mundur që të evitoheshin dëmet materiale, të cilat përllogariten të jenë të konsiderueshme. Ekspertë të policisë nuk kanë dhënë ende asnjë version mbi shkaqet e rënies së zjarrit. Vetë familjarët që janë prekur nga djegia e banesës kanë deklaruar se kjo ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme.

Sipas Luigj Dedgjonajt, i afërm i kryefamiljares së cilës i është djegur banesa, ekspertët e policisë duhet të hedhin dritë mbi të vërtetën, duke deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike.

Ai e ka argumentuar këtë me faktin se në kohën kur ka marrë flakë shtëpia, asnjë orendi shtëpiake nuk ka qenë e ndezur dhe se nuk ka pasur asnjë luhatje tensioni. Vetë kryefamiljarja Vitore Dedgjonaj është shprehur se ka parë një gjurmë në dritaren e banjës dhe se rrjeta që qëndron në këtë dritare ka qenë e hequr.

Ajo nuk di të shpjegojë nëse kjo është kryer nga zjarrfikësit apo nga ndonjë keqbërës, ndaj kërkon ndihmën e ekspertëve për të zbardhur të vërtetën. Ata kanë kërkuar që sa më shpejt që të jetë e mundur të nxirren konkluzionet, pasi do t'i shkojnë deri në fund kësaj çeshtjeje.

Familja Dedgjonaj në fshatin Balldre të Lezhës është përfshirë edhe një herë tjetër në një fatkeqësi të tillë 6 vite më parë, ku humbi jetën kryefamiljari Rrok Dedgjonaj. Zjarri në atë rast u shkaktua nga shpërthimi i një bombole gazi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›