E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllai i deputetit arrestohet për trafik makinash

Përjet Abazi, është ndaluar, pasi në parkingun e tij janë gjetur 5 mjete të dyshuara si të trafikuara

Arrestohet nga Policia e Tiranës vëllai i një deputeti të Parlamentit si i dyshuar për trafikim të mjeteve motorike.

Përjet Abazi, 42 vjeç, banues në kryeqytet është arrestuar mbrëmjen e të martës, nga Policia e Tiranës, me akuzën e trafikimit të mjeteve motorike, në drejtim të Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët pohuan se 42- vjeçari është ndaluar pas një kontrolli të kryer në parkingun e tij që ndodhet në Autostradën Tiranë - Durrës në afërsi të fshatit Yrshek.

Sipas të njëjtit burim, pas kontrollit të policisë në ambientet e parkingut, janë gjetur e më pas sekuestruar pesë automjete të markave të ndryshme, me dyshimin se ishin të vjedhura dhe të trafikuara nga shtete të tjera për në drejtim të Shqipërisë.

Dy nga mjetet, sipas burimeve të policisë, ishin të pajisur me targa të Tiranës, të cilat dyshohet mund të kenë ndërhyrje në numrat e tyre të shasive.

Dy mjetet e tjera ishin me targa të huaja, ndërsa një prej tyre, një furgon i markës "Mercedez- Benz" Sprinter ishte pa targa Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, lokalizimi i parkingut, pronë e Perjet Abazit, ka ardhur nga informacionet se aty gjendeshin automjete të trafikuara.

Nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme po hetohet për verifikimin e plotë të automjeteve dhe origjinën e tyre, pasi janë të ardhura nga jashtë Shqipërisë.

Policia dyshon se automjetet që gjendeshin në parkingun e Perjet Abazit janë të trafikuara dhe dyshojnë se vetë i arrestuari mund të jetë i përfshirë në këtë trafik. Sipas hetimeve, njëri nga automjetet rezulton se është vjedhur në Itali dhe më pas është sjellë në Tiranë.

I arrestuari akuzohet nga policia për veprën penale të "trafikimit të mjeteve motorike". Prokuroria e Tiranës do të hetojë nëse bëhet fjalë për një trafik të organizuar të automjeteve të ardhura nga jashtë Shqipërisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›