Topi: Vizioni im për shtetin e së drejtës në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë vizitës së tij në Itali është ndalur në një takim edhe në Universitetin e Torinos, ku u prit nga rektori i tij dhe zhvilloi një takim me trupën pedagogjike të këtij institucioni. Në fjalimin mbajtur përpara profesorëve të drejtësisë, Topi dha edhe vizionin e tij si kreu i shtetit për shtetin e së drejtës në Shqipëri. “Kushtetuta përcakton qartë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, por gjatë praktikës jemi ndeshur si me problemet e vetë sistemit për të ngjallur besim publik e optimizëm, ashtu edhe me përpjekjet e politikës për të imponuar vendimmarrjen apo karrierën profesionale në sistemin e drejtësisë. Për mendimin tim, edhe pse të shpjegueshme për një shoqëri që ndryshon dhe tranzicionin në mentalitet e praktikë, në thelb, si njëri, ashtu edhe tjetri fenomen kanë qenë e janë të gabuara”, - tha Topi. Ai përmendi disa shtylla në të cilët duhet të mbështetet reforma në drejtësi. “Konsolidimin e një sistemi drejtësie dhe gjyqësor, që i garantojnë individit mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. Konsolidimin e një sistemi drejtësie dhe gjyqësor që efektivisht dhe maksimalisht parandalon shkeljet e ligjit, një sistemi të aftë për të hetuar dhe dënuar sipas ligjit personat përgjegjës. Organizmin e një sistemi gjyqësor të pavarur nga pushtetet e tjera apo nga influenca të tjera të çfarëdo lloji. Garantimin e një sistemi dhe procedurash efektive për të gjithë, të paanshme, efiçente, të shpejta dhe që nuk diskriminojnë e nuk përjashtojnë askënd për shkak të pamundësive sociale apo ekonomike”, - ishin disa nga pikat kryesore në fjalimin e Presidentit Topi.