E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet libiano-francezja, rrëmbeu fëmijën në Francë

TIRANE - Gjykata e Tiranës hoqi dje masën e sigurisë, me kërkesë të Prokurorisë për libiano-francezen Imen Djilli Gili. 

35-vjeçarja u kap tri ditë më parë në kryeqytet, teksa ishte arratisur nga Franca bashkë me fëmijën e saj prej disa ditësh, të cilin tentonte ta dërgonte në vendlindjen e saj, në Liban. Prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake ndaj saj, pohoi dje para gjyqtares së gatshme se ajo nuk duhet të lejohej të largohej nga territori shqiptar derisa të kishte një vendim gjykate. Më tej prokurori argumentoi se ajo nuk mund të mbahej as në qeli, pasi vepra që kishte kryer nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore. Vetë e akuzuara pohoi para gjyqtares së gatshme se kërkonte t’i hiqej masa e sigurisë, për faktin se ajo nuk kishte kryer asnjë krim dhe se fakti që ishte larguar me fëmijën e saj për në vendlindje pa lejen e bashkëshortit, nuk ishte vepër penale, pasi ajo do rikthehej sërish në Paris. Pas kësaj Prokuroria duke u nisur edhe nga fakti që ajo ishte nëna e një fëmije të mitur, i cili kishte nevojë për përkujdesje, i kërkoi gjykatës lirimin e saj. Tashmë 35-vjeçares, sipas vendimit të djeshëm do t’i duhet të jetojë në Tiranë për disa javë, kohë gjatë së cilës do të përgatitet dokumentacioni i duhur ligjor në ngarkim të saj. Gjatë seancës së djeshme në gjykatën e kryeqytetit u interesuan edhe përfaqësues të ambasadës franceze në Tiranë. 35-vjeçarja me kombësi franceze Imen Djilli Gili, ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Parisit, pasi akuzohet për nxjerrjen jashtë territorit të Francës të fëmijës së saj, pa lejen e ish-bashkëshortit. Ajo u kap pranë rrugës së Kavajës në Tiranë, pas denoncimit të kryer nga ish-bashkëshorti i saj në Francë.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›