E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga bandës shqiptare, tmerri i bankave në Greqi

Policia greke arrestoi dje dy shqiptarë, ndërsa shpalli në kërkim tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për grabitjen e dhjetë bankave në tokën helene si dhe një sërë vjedhjesh të tjera të dhunshme. 

 Lajmi për kapjen e dy shqiptarëve ka qenë një nga temat kryesore të shtypit grek gjatë ditës së djeshme, pavarësisht se emrat e të prangosurve nuk janë bërë publikë. Sipas deklaratës së policisë pas aksionit, të akuzuarit në disa raste kishin kryer veprime të dhunshme me armë, duke lënë të dëmtuar ose të plagosur edhe një shtetase greke, e cila ka rënë pre e grabitjes. Hetimet e autoriteteve greke përfshijnë implikimin e shqiptarëve në dhjetë grabitje të bujshme bankash, si dhe në dhjetëra episode të tjera të vjedhjes së banesave dhe automjeteve. Në deklaratën e policisë thuhet se të arrestuarit janë 20 dhe 22 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe tre bashkëmoshatarë të tyre. Ata konsiderohen nga shtypi grek si grupi i keqbërësve, që ishte kthyer në tmerrin e bankave dhe zyrave të tjera shtetërore, që mund të binin pre e grabitjeve të dhunshme me armë. Sipas hetimeve të bëra nga policia greke, dyshohet se shqiptarët vetëm gjatë dhjetë muajve të fundit kanë grabitur me armë të paktën dhjetë banka, duke përvetësuar më shumë se 150 mijë euro, përfshirë këtu edhe vjedhjen e banesave të qytetarëve, zyrave shtetërore dhe disa makina luksoze. Shqiptarët vepronin në zona të ndryshme të Athinës, ku prania dhe kontrolli policor ishte në nivel të ulët. Gjatë aksionit për arrestimin e dy shqiptarëve policia u sekuestroi atyre dy makina luksoze. Në bagazhet e automjeteve u gjetën më pas mjetet e përdorura në grabitjet e dhunshme, si doreza, maska, çelësa të ndryshëm, pajisje të posaçme për vjedhjen e makinave, tri pistoleta, disa bizhuteri të kushtueshme si dhe 20 mijë euro. Policia tha se në një rast shqiptarët kishin grabitur edhe një zyrtar të lartë të shtetit grek. Rajonet e policisë së Athinës kanë marrë urdhër dje të tregojnë kujdes, sepse tre të akuzuarit e tjerë, ende në kërkim, mund të tregohen të dhunshëm në rast të tentativës së policisë për t’i vendosur në pranga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›