E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet nxënësi që terrorizoi shkollën

Lushnjë, djali që mori pushkën për t’u hakmarrë ndaj mësuesit, u rikthye dje në mësim

Nxënësi i klasës së nëntë në shkollën “Liri Kazazi” të qytetit të Lushnjës, D.çekrezi, i cili gjatë së premtes së shkuar terrorizoi bashkëmoshatarët dhe mësuesit e tij, ka lënë burgun mbrëmjen e së hënës. Prokuroria e të Miturve në Vlorë ka vendosur ndjekjen penale në gjendje të lirë të 14-vjeçarit, i cili dje është rikthyer në shkollën ku përpara pesë ditësh qëlloi me armë.

Burimet zyrtare të Prokurorisë së Lushnjës tregojnë për “Shqip” se ngjarja nuk është hetuar dhe as po hetohet nga ky organ, por nga Prokuroria e të Miturve në Vlorë.

Kreu i Prokurorisë së Lushnjës, Petrit çano, tha gjithashtu se në Lushnjë nuk ka hetime as për babain e djalit, as për mësuesit e përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkohë, shefi i Komisariatit të Lushnjës, Latif Kulla, pohon se ndaj 14-vjeçarit janë ngritur tri akuza: “armëmbajtje pa leje”, “plagosje e lehtë me dashje”, “kanosje për shkak të detyrës”.

Kulla tregon se policia e Lushnjës po vijon të hetojë për konfliktin mes nxënësit agresiv dhe një prej mësuesve të përfshirë në sherr, Ibrahim Sina. Ky i fundit mësohet se jep lëndën e muzikës në shkollën “Liri Kazazi”. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, 14-vjeçari ka pasur disa herë përplasje me mësuesin në fjalë. “Edhe nga dëshmia e dhënë prej D.çekrezit del se ai dhe mësuesi Ibrahim Sina janë fqinjë. Ata jetojnë në të njëjtin pallat dhe kanë pasur përplasje kohë pas kohe. Ditën e premte, pikërisht me Ibrahim Sinën u përlesh 14-vjeçari, i cili më pas kërcënoi edhe me armë”, thonë burimet zyrtare nga grupi i hetimit. Po këto burime tregojnë se mësuesi i muzikës, i cili është marrë në pyetje dhe do të vijojë të konsiderohet si person kyç në hetimin e kësaj ngjarjeje, shpesh ka përdorur fjalë fyese ndaj nxënësit të tij. Burimet policore tregojnë gjithashtu se 14-vjeçari ka ndryshuar deklaratën fillestare për sa i përket gjetjes së armës nga ana e tij. Ai ka thënë se e kishte gjetur pushkën disa muaj më parë në një godinë të braktisur dhe e kishte fshehur më pas në shtëpi.
Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje edhe shumë mësues dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare ku ndodhi ngjarja e rëndë. Po ashtu pritet që vijimi i hetimeve të zbardhë plotësisht përplasjen mësues-nxënës, që fatmirësisht nuk përfundoi me përmasa shqetësuese.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›