Lirohet peshkatorja italiane, por i vjedhin rrjetat
Anija “Niko” është lejuar të dalë nga kalata e Vlorës, pasi ekuipazhi ka paguar gjobën prej 2 mijë eurosh, për hyrjen në ujërat territoriale shqiptare. Burime nga Kapitaneria e Portit të Vlorës bëjnë me dije se masa e gjobës i është vënë anijes së huaj për shkeljen e territorit shqiptar dhe jo për gjueti të paligjshme, pasi nuk është vërtetuar një gjë e tillë. Mjeti i huaj i lundrimit është kapur mbrëmjen e së martës duke peshkuar në ujërat shqiptare. Burime nga Kapitaneria e Portit bëjnë të ditur se peshkatorja e huaj iu nënshtrua procedurave të bllokimit dhe atyre hetimore, ndërsa për të lënë kalatën e Portit të Vlorës ka paguar një gjobë 2 mijë euro. Kur është larguar nga porti, anija është kthyer në vendin ku u kap për të marrë rrjetat e peshkimit, por nuk i kanë gjetur më, sepse ishin vjedhur nga peshkatore të tjera. Italianët kanë denoncuar ngjarjen në polici dhe kapitaneri. Për lirimin e anijes janë interesuar dhe autoritetet italiane në Shqipëri, si dhe konsulli italian në Vlorë. Peshkarexhat italiane shkelin vazhdimisht ujërat territoriale shqiptare për të peshkuar në mënyrë të paligjshme, por janë të pakta ato që kapen nga policia kufitare.
#