Shkodër, tritol në derën e shtëpisë së gazetarit
Një sasi eksplozivi e pashpërthyer është gjetur mëngjesin e djeshëm në banesën e shtetasit Bashkim Dushi, babait të gazetarit investigativ të televizionit “Top Channel” Ervin Dushi. Policia është ende në kërkim të autorëve, ndërkohë që dyshohet se ngjarja mund të jetë një mesazh kërcënues apo paralajmërimi për gazetarin. Lënda eksplozive është parë nga fqinjët rreth orës 06.00 të ditës së djeshme, të cilët kanë lajmëruar policinë. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, në lagjen “Skënderbeg”, ku kanë konstatuar se pranë derës së jashtme të apartamentit të Bashkim Dushit, në sheshpushimin e shkallëve është gjetur rreth 100 gr lëndë eksplozive tritol me fitil përcjellës të pandezur. Një nga pistat kryesore ku po heton policia lidhet me profesionin e djalit të Bashkim Dushit. Fakti që eksplozivi është gjetur pa shpërthyer, mund të konsiderohet si mesazh paralajmërues. Familja Dushi prej disa kohësh jeton në Tiranë, për këtë arsye një grup ekspertësh të antiterrorit janë nisur drejt kryeqytetit për të mësuar ndonjë detaj që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, vetë gazetari Ervin Dushi është shprehur se kohët e fundit e ka frekuentuar pak banesën në Shkodër dhe se për shkak të profesionit që ka, nuk i kanë munguar telefonatat kërcënuese. Këto pohime kanë bërë që tashmë policia t’i përqendrojë hetimet në punën investiguese të gazetarit. Ndërkaq dje ka reaguar menjëherë Dega e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë për Prefekturën e Shkodrës, e cila ka protestuar ashpër ndaj këtij akti kriminal. Rasti në fjalë vërteton më së miri se në rajonin e vështirë të Shkodrës, ashtu si dhe në përgjithësi në Shqipëri, gazetarët vijojnë të jenë të pambrojtur dhe të shënjestruar në çdo moment, për shkak të publikimit të shkrimeve dhe kronikave të tyre të guximshme, në të cilat goditet korrupsioni, paaftësia, si dhe monopolet e zyrtarëve shtetërorë e atyre privatë. Dega e Unionit të Gazetarëve në Shkodër u ka bërë thirrje organeve të rendit që të impenjohen maksimalisht për zbulimin e autorëve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.
#