E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltarët e djathtë rrëzojnë paketën fiskale të Bashkisë Korçë

Votimi Mazhoranca kundërshtoi shtimin e tarifave. Shtyhet diskutimi i buxhetit

Dështon miratimi i buxhetit të Bashkisë së Korçës, duke u shtyrë për një tjetër datë. Shkak është bërë mosmiratimi i paketës fiskale nga ana e këshilltarëve të djathtë, që kanë shumicën në Këshillin Bashkiak të Korçës. Të djathtët kanë pasur pretendime për tarifat familjare të pastrimit, ndriçimit dhe të gjelbërimit që, sipas tyre, janë të kontestueshme në paketën e re fiskale të paraqitur nga ana e Bashkisë së Korçës. Për rrjedhojë, grupi i këshilltarëve të djathtë kërkoi që të rishikohen këto tarifa dhe të diskutohen më pas nga komisionet për të aplikuar ulje të tyre, me pretendimin se shtimi i pagesës nuk mund të përballohet nga ana e qytetarëve. Të djathtët kanë propozuar tarifa të reja më të ulëta se ato të parashikuara për vitin 2010 nga ana e bashkisë, me pretendimin se rëndohen buxhetet familjare dhe se qytetarët nuk kanë mundësi të përballojnë tarifa të shtuara në çmim për gjelbërimin, pastrimin dhe ndriçimin. Vlera e parashikuar e tarifave për vitin 2010 është 2100 lekë, 500 lekë më shumë se një vit më parë. Duke qenë se me shumicën e votave është rrëzuar paketa fiskale e propozuar nga ana e bashkisë, nuk është kaluar në diskutimin e buxhetit dhe më tej në miratimin e tij për vitin 2010, duke e lënë këtë për një tjetër datë pas diskutimeve nga ana e ekspertëve dhe shqyrtimit të tarifave të reja të propozuara nga të dyja palët. Me shumicë votash është rrëzuar paketa fiskale, ndërkohë që bashkë me të dhe buxheti do të diskutohen në një mbledhje të ardhshme të caktuar javën tjetër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›