Vdes në përpjekje për të vjedhur skrap 26-vjeçari
Shkon të vjedhë, gjen vdekjen. Kështu ka ndodhur me një 26-vjeçar, i cili ka gjetur vdekjen pas kontaktit me një nga telat e tensionit të lartë, në përpjekje për të mbijetuar. Ndërsa përpiqej të siguronte skrap duke u hedhur mbi vagonin e fundit të një treni mallrash, Kujtim Kovaçi, 26 vjeç, lindur në Bizë të Tiranës dhe banues në Durrës, është prekur në qafë nga një tel i zhveshur i tensionit të lartë që ishte këputur. Treni ka qenë në lëvizje dhe ai është rrëzuar përtokë. I riu është dërguar i vdekur në spital, ku dhe ka rezultuar se shkaku i vdekjes ka qenë kontakti me rrymën elektrike. Mësohet se Kovaçi ishte i papunë. Nevoja për të jetuar dhe mbajtur familjen e kishte drejtuar për në stacionin hekurudhor të plazhit, aty ku kalojnë trenat e mallrave me skrap. Ka qenë së bashku me nipin e tij bashkëmoshatar, por fatkeqësisht ka gjetur vdekjen, ndërsa përpiqej të siguronte bukën e gojës nëpërmjet shitjes së skrapit të vjedhur. Një ditë më parë, Kujtim Kovaçi, i cili ishte vendosur në Durrës për një jetë më të mirë, kishte vendosur së bashku me nipin e tij, shtetasin K. Kovaçi, banor i plazhit, të shkonin të siguronin skrapin e më pas ta shisnin. Kujtim Kovaçi është hedhur mbi vagonin e fundit të trenit të mallrave të ngarkuar me hekurishte, por ndërsa treni ka qenë në lëvizje dhe fare pranë bazës mekanike hekurudhore, që njihet ndryshe si stacioni i trenit në plazh, një tel korrenti i zhveshur e ka prekur në pjesën e qafës. Si pasojë e goditjes elektrike, i riu ka rënë përtokë. Sipas ekspertëve, nuk ka qenë rënia shkaku i vdekjes, por goditja nga rryma elektrike e tensionit të lartë. Burimet nga grupi hetimor saktësuan se teli ka qenë i linjës 6000 kv dhe kontakti me të ka qenë fatal. Dërgimi në spital ka qenë i kotë, pasi i riu ishte ndarë ndërkohë nga jeta dhe pasditen e djeshme ai është përcjellë për në banesën e fundit.
#