E Diel, 1 Nëntor 2026

Mile Çami dënohet përsëri për vrasje

Gjykata e Fierit e shpalli fajtor për vrasjen e Gjergji Halos. Dënohet edhe bashkëpunëtori

Fatmir Emini, i njohur si Mile çami, dhe Bledar Yzeiri kanë marrë dje dënimin e radhës për vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo. Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier ka dhënë dje vendimin për Eminin dhe bashkëpunëtorin e tij Yzeiri, duke i dënuar me nga 25 vjet burg secilin. Dy “të fortët” e Fierit prej afro dy vjetësh ishin në gjykim për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Gjergji Halo. Mësohet zyrtarisht prej Gjykatës së Fierit se ndaj Mile çamit dhe Bledar Yzeirit është duke u zhvilluar edhe procesi gjyqësor i radhës, që ka të bëjë me ekzekutimin e nënës së Lulzim Cakës, Xhevries, e cila dyshohet se është rrëmbyer prej Eminit e Yzeirit dhe është ekzekutuar barbarisht në pyllin e Semanit. Ndërsa Mile çami ndodhet në burg, pasi ka marrë një dënim të mëparshëm për vrasjen e Loshit të Karbunarës, Bledar Yzeiri është ende në kërkim policor.

Vendimi

Në seancën e djeshme, pasi janë shqyrtuar provat dhe dëgjuar të gjithë dëshmitarët, trupi gjykues i kryesuar nga Nafije Curri i ka shpallur fajtor Fatmir Eminin dhe Bledar Yzeirin për veprat e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për motive të dobëta” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Të dy të pandehurit janë dënuar me 25 vjet burg, aq sa ka kërkuar në pretencë prokurori i çështjes, çlirim Sino. I mbiquajturi Mile çami, në këtë proces mbrohej nga avokati Sokol Zotaj, i cili ka këmbëngulur për pafajësi të klientit të tij, ndërkohë që Bledar Yzeiri mbrohej në mungesë nga Sazan Aliko, i cili gjithashtu ka kërkuar pafajësi.

Pas afro dy vjetësh gjykim, trupi gjykues jo vetëm që e ka cilësuar fajtor Fatmir Eminin dhe Bledar Yzeirin, por i ka dënuar ata me 25 vjet burg. Ata do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërkohë që edhe shpenzimet e gjyqit do t’i paguajnë vetë.

Ekzekutimi i ndërtuesit

Ngjarja për të cilën janë shpallur fajtorë Emini dhe Yzeiri ka ndodhur më 12 korrik të vitit 2000, por zanafilla ka qenë disa muaj më parë, kur Gjergji Halo, me profesion inxhinier ndërtimi, ka përfunduar një pallat nëntëkatësh në lagjen “29 Nëntori”, ku banonte ai dhe Fatmir Emini. Halo, së bashku me dy të afërmit e tij, që janë edhe dëshmitarë të ngjarjes, pas përfundimit të pallatit kanë blerë një truall tjetër, që ndodhej pranë banesës së Mile çamit. Pikërisht trualli ka qenë burim kontradiktash të vazhdueshme mes Halos dhe Eminit. Në shumë raste debatet kanë shkuar deri edhe në konfrontim fizik. Madje, Fatmir Emini ka kërcënuar edhe dajën e të ndjerit Gjergji Halo. Sipas provave të dala nga hetimi, Fatmir Emini në këtë periudhë ka pasur njohje me shumë anëtarë të fisit Yzeiri, me një prej të cilëve Bledarin, ka organizuar edhe vrasjen e Gjergji Halos. Kështu, më 12 korrik të vitit 2000, kur Gjergji Halo ka qenë pranë hyrjes së pallatit të tij, është qëlluar nga prapa prej Bledar Yzeirit. Disa orë pas ngjarjes së rëndë, policia ndaloi Fatmir Eminin si të dyshuar, por për mungesë provash e la të lirë. Rihapja e dosjes u bë dy vjet më parë, kur në duart e policisë ra një letër e shkuar në qeli nga Fatmir Emini, i cili ishte burgosur për vrasjen e Loshit të Karbunarës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›