E Diel, 1 Nëntor 2026

”Paguam për dritat që na mungojnë”

02/04/2005  Familjarët e rrugës “Ludovik Saraçi” kanë kontribuar në rregullimin e ndriçimit

SHKODËR – Si pak qytetarë të Shkodrës, banorët e rrugës “Ludovik Saraçi”, në lagjen “Perlat Rexhepi”, kanë paguar nga xhepat e tyre sasi parash për të rregulluar ndriçimin e kësaj rruge. Por duket se djersa e tyre, së bashku me projektin e PNUD-it, po shkon kot, pasi banorët ankohen për mungesën e ndriçimit publik. Ankesën e tyre ia kanë bërë të ditur drejtuesve lokalë, drejtorit të Policisë së Qarkut, pasi ndjehen të rrezikur nga elementë kriminalë dhe veçanërisht drejtorit të KESH–it Shkodër, Nikë Ndoci. Ndriçimi i rrugës në fjalë është arritur me anë të një programi me financimin e PNUD-it, me anë të një fondi prej 15000$ dhe me kontributin e Bashkisë dhe të vetë banorëve me një fond prej 2000$. Në lidhje me shqetësimin e banorëve të kësaj rruge njëri nga përfaqësuesit e grupit të zgjidhjes së problemeve në këtë komunitet, Nikolin Bedeni është prononcuar për gazetën “Metropol”:

Cila është arsyeja e ankesës suaj?

Në rrugën ku jeton komuniteti, ku bëj pjesë edhe unë, me mbështetjen e programit SSSR/PNUD dhe kontributin e Bashkisë dhe të vetë banorëve, u arrit që të bëhet një rehabilitim total i rrjetit të ndriçimit, me një linjë ndriçimi shumë cilësore, që solli një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë sonë dhe lehtësi në qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve. Kështu, nga një rrugë e cilësuar si “e rrezikshme” u kthye në një rrugë model. Por investimi serioz që u bë tani po rrezikohet të mbetet vetëm një fasadë, për arsye se që prej disa ditësh, në lagjen tonë (si në shumicën e qytetit), pas orës 24 ndërpritet furnizimi me energji elektrike. Kjo ndërprerje, përveç konsumatorëve familjarë, i bëhet edhe kësaj linje ndriçimi. Përveç kësaj, defekte të vazhdueshme në këtë linjë, kanë bërë që për net të tëra të mos ketë ndriçim në këtë rrugë.

Çfarë problemesh ka sjellë mosfunksionimi i ndriçimit të kësaj rruge?

Mosfunksionimi normal i ndriçimit, është bërë shkaku kryesor i disa vjedhjeve të banesave të kësaj rruge, në këto kohët e fundit. Prandaj, ne i kemi bërë një ankesë organeve drejtuese lokale, drejtorit të policisë dhe të degës së KESH-it në Shkodër për marrjen e masave në mënyrë që të na sigurohet funksionimi normal i ndriçimit publik të rrugës sonë. E dimë se linja është në varësi të KESH-it, por si qytetarë të këtij qyteti i drejtohemi kryesisht Bashkisë që të ndikojë te drejtuesit e KESH-it, për të na plotësuar kërkesat tona të drejta, në mënyrë që edhe ata para që janë harxhuar të jenë gjithmonë në shërbim të komunitetit. Përveç kësaj, kërkojmë që të merren masa për të ndaluar kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë në këtë rrugë, që është shtruar me 0.7 milionë lekë të komunitetit dhe 2.9 milionë lekë të Bashkisë. Kalimi i këtyre automjeteve, ka filluar të dëmtojë këtë rrugë.

Flet përfaqësuesi i PNUD

“Projekti ‘Policimi në komunitet’, ndriçoi rrugën”

Në lidhje me projektin, që është zbatuar në rrugën “Ludovik Saraçi”, një informacion më të plotë e ka dhënë për gazetën “Metropol”, Simon Ndreu, koordinatori i programit SSSR/PNUD (Mbështetje e reformave në sektorin e sigurisë). Ai ka sqaruar se: ”Me mbështetjen e programit SSSR/PNUD, një program i PNUD në Shqipëri që mbështet bashkëpunimin polici-komunitet, me një fond prej 15000$ dhe me kontributin e Bashkisë Shkodër dhe të vetë komunitetit me një fond prej 2000$ u arrit që të bëhet rehabilitimi total i rrjetit të ndriçimit në rrugën “Ludovik Saraçi” të lagjes “Perlat Rexhepi”. U vendosën ndriçues me fotoelement, linja të reja dhe aksesorë të tjerë ndihmës. gjithashtu SSSR, arriti që në këtë zonë në një nga zyrat e rajonit të Bashkisë të pajisej me infrastrukturën e nevojshme për inspektorët e policisë, me qëllim që ata të jenë më afër njerëzve, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e bashkëpunimit polici-komunitet dhe duke shërbyer si një model për t’u përhapur edhe në rajone të tjera të qytetit të Shkodrës. Ndërsa në lidhje projektet e tjera të zbatuar kryesisht në kuadër të policimit në komunitet, i cili ka si qëllim jo vetëm ndërtimin e infrastrukturave, por edhe sensibilizimin e komunitetit për ta shikuar policinë si një instutucion mbrojtës në dobi të tyre, Z.Ndreu informon se projekti i UNDP, në Shkodër, ka filluar në muajin prill të vitit 2002 në projektin e tij të parë SALËC-kontrolli i armëve të vogla dhe të lehta. Me mbështetjen e Prefekturës, projekti hapi zyrën e vet pranë saj dhe vetëm gjatë muajve prill-gusht 2002 arriti të mbledhë në mënyrë vullnetare 1600 armë dhe një sasi të konsiderueshme municioni, sasi këto që ishin shumë herë më të mëdha se sasitë vjetore të viteve paraardhëse të grumbulluara nga policia. Impakti më i rëndësishëm ishte se u ndërgjegjësua komuniteti dhe filloi dorëzimi vullnetar i armëve, ku në këmbim të këtyre dorëzimeve u arritën të dorëzoheshin dhe të implementoheshin mbi 300 mijë dollarë projekte të shpërndara këto në të gjithë Prefekturën. Në fillim të vitit 2004, UNDP filloi implementimin e projektit të saj SSSR, projekt ky që ka për qëllim kryesor që të krijojë te njerëzit një afërsi në mes policisë dhe komunitetit, duke realizuar së bashku të njëjtin qëllim, që synon të rrisë shkallën e sigurisë dhe qetësisë në komunitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›