PS mban takim me emigrantët në Athinë
Me kërkesë të shoqatave të emigrantëve, deputetët socialistë Sadri Abazi, Taulant Balla dhe Rrapush Tola, zhvilluan një ditë më parë një takim të zgjeruar me emigrantë shqiptarë të Dibrës, Librazhdit dhe Matit, të cilët punojnë dhe jetojnë në Athinë dhe në zonat përreth saj. Gjatë këtij takimi, të mbajtur në hotel "Akropoli" në sheshin "Omonia", deputetët diskutuan me emigrantët mbi shqetësimet dhe problemet e tyre. Përfaqësues të emigrantëve, të cilët morën fjalën në këtë takim, kërkuan nga autoritetet shqiptare marrjen e masave për lehtësimin e procedurave konsullore, burim i korrupsionit, në konsullatat shqiptare në Greqi.