Lista e barnave, shtyhet afati i hyrjes në fuqi
Rritja e euros, mollë sherri për bashkëpunimin mes shtetit dhe tregtarëve të barnave
Rritja e çmimit të euros në tregun e këmbimit të valutës, prej më shumë se një viti po shkakton probleme mes tregtarëve të mëdhenj të ilaçeve dhe përfaqësuesve të shtetit. Konkretisht, lista e re e barnave me rimbursim, e cila duhet të hynte në fuqi që në muajin janar të këtij viti, ende nuk i ka mbyllur të gjitha etapat. Në dhjetor të 2009-s, Ministria e shëndetësisë, Komisioni i Hartimit të Listës së Barnave me Rimbursim bëri projektvendimin dhe e dërgoi pranë Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave për miratim. Financat nuk ranë dakord me faturën e përllogaritur nga shëndetësia dhe e kthyen listën mbrapsht. Por duket se as grosistët nuk po gjejnë paqe për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të euros.
Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ka bërë gjithçka për të mos cenuar listën e rimbursimit të vitit 2009, por rritja e çmimit të euros nga një anë dhe kërkesat e Ministrisë së Financave për ulje të shpenzimit nga ana tjetër kanë sjellë bllokim të procedurave për miratimin e listës së barnave me rimbursim të vitit 2010 në Këshillin e Ministrave.
Kështu, miratimi i listës deri në zgjidhje të problemeve dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët me grosistët e ilaçeve do të shtyhet të paktën deri në muajin shkurt. Prej më shumë se një viti, që nga rritja e çmimit të euros, deri tani grosistët e ilaçeve janë duke bashkëpunuar me shtetin, por pa pasur asnjë përfitim, pasi llogaritja e tregimit dhe shitjes së barnave po bëhet sipas kursit të këmbimit të valutës, ku 1 euro këmbehet me 1.25 lekë.
Sipas të dhënave, nëse do të ketë rritje të mëtejshme të euros dhe asnjë marrëveshje favorizuese për tregtarët e barnave, bashkëpunimi shtet-privat dyshohet të vendoset në rrezik, duke sjellë kështu edhe bllokimin e listës së barnave, apo shtyrjen e mëtejshme të miratimit të listës së re për vitin 2010.
#