E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e re e barnave miratimi shtyhet per vitin e ardhshem

Medikamentet Komisioni i hartimit dhe miratimit të listës u mblodh vetëm një herë

Komisioni i hartimit, shqyrtimit dhe miratimit të listës së barnave me rimbursim është mbledhur vetëm një herë që nga diskutimi për miratimin e listës deri në fund të këtij muaji.
Problemi i financave, rritja e çmimit të euros, dollarit në tregun e këmbimit të valutës si dhe kërkesat nga grupet e interesit, distributorë, filialet e firmave të njohura farmaceutike, propozimeve të shërbimeve si dhe shoqatave të pacientëve, ka sjellë edhe shqyrtim të detajuar nga Ministria e Shëndetësisë e drejtoria e farmaceutikës. Menaxhimi dhe puna pa orar e ekspertëve të shëndetësisë në veri të vendit ka bërë që lista e barnave të mos ishte e vetmja çështje prioriteti për sektorin e shëndetësisë. Ajo që është artikuluar nga Ministria e Shëndetësisë lidhet me punën dhe diskutimet e komisionit të hartimit të listës, për të pasur një listë thuajse të njëjtë me vitin 2010. Kjo, duke respektuar fondin e vendosur në dispozicion, duke përmbushur kërkesat e pacientëve dhe kategorive në nevojë, si dhe duke u përpjekur për të përfshirë risi apo alternativa të reja, të cilat mund të sigurohen me çmime të arsyeshme. Propozimi përfundimtar për listën e re të barnave me rimbursim do të jepet vitin e ardhshëm, e do të jetë më pas Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave që do të miratojë listën e re të barnave. Sakaq, edhe grosistët pritet të takohen me përfaqësuesit e shëndetësisë për të negociuar lidhur me problemet e rritjes së euros dhe dollarit në tregun e këmbimit valutor, nisur edhe nga blerjet që ata bëjnë në tregun ndërkombëtar farmaceutik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›