E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeket pa shperblime nga te ardhurat dytesore

Pagesat me paratë e mbledhura nga të pasiguruarit, nëse ka, do të mbeten të ngrira

Mjekët e spitaleve, përfshirë këtu edhe qendrën më të madhe spitalore universitare “Nënë Tereza”, nuk do të marrin asnjë shpërblim për Vitin e Ri nga fondi i të ardhurave dytësore. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka sqaruar se bluzat e bardha tashmë kanë tërhequr nga banka 9 mijë lekëshin e shpërblimit, dhënë me vendim të Këshillit të Ministrave për administratën. Ndërkohë që të ardhurat dytësore nuk do të preken, do të qëndrojnë të ngrira. Kjo, në spitalet ku aktualisht ka gjendje të të ardhurave dytësore, pasi në rastin e QSUT-së fondet e këtij “zëri” janë përdorur për blerje medikamentesh, për nevoja të qendrës apo për emergjenca.

Të ardhurat dytësore

Sipas legjislacionit në fuqi, të ardhurat dytësore të përftuara nga pagesat e pacientëve që nuk janë të siguruar apo nga paratë e mbledhura nga detyrimet që duhet të paguajnë të gjithë në spital, si formë e paracaktuar pagese, mund të përdoren për të investuar në infrastrukturën e institucionit, për nevoja të qendrave, por edhe për shpërblime për punonjësit. Për herë të parë këtë vit, mjekët nuk do të marrin shpërblime nga të ardhurat dytësore. Ashtu si mosha e tretë, por edhe administrata, edhe mjekët e personeli mbështetës dhe teknik janë përjashtuar nga mundësia për të marrë një shpërblim njësoj si vitet e kaluara.

Vendimi i shpërblimeve

Punonjësit e administratës publike nuk do të marrin shpërblim për rezultate të mira në punë, madje nuk do të organizojnë festa për fundviti, siç ka qenë tradita e përvitshme.

Buxheti i varfër ka detyruar Kryeministrin e vendit, Sali Berisha që me një Vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 17 nëntor 2010, numër 929, i cili nuk është publikuar as në Fletoren Zyrtare, të urdhërojë të gjithë administratën shtetërore, që duke filluar nga data 2 dhjetor 2010 nuk mund të zhvillojnë asnjë aktivitet social kulturor. Po ashtu, sipas vendimit, për vitin 2010 fondi i veçantë nuk mund të përdoret as për shpërblimin e punonjësve me rezultate të mira. Ndërkaq, javën e kaluar, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka njoftuar në bazë të punës, qendrave shëndetësore në varësi të ISKSH-së, do të marrin një pagesë plus. Në bazë të kontratave që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka me qendrat shëndetësore, do të shpërndahet pagesa për performancë për personelin mjekësor. Për këtë periudhë kontraktuale parashikohet të shpërndahen rreth 260 milionë lekë për shpërblimin e punonjësve të qendrave shëndetësore. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës, nga të cilët rreth 2 mijë mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë dhe 6600 infermierë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›