E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI garë për rrëmbim anëtarësh

06/03/2009  Rimerr jetë fenomeni i rrjedhjes së anëtarësisë mes dy forcave kryesore të majta

PS-ja i merr LSI-së anëtarët e saj në Vlorë, por humb përfaqësuesit e saj në Tiranë

Tronditet sërish anëtarësia e partive të majta. Largime të përfaqësuesve të Partisë Socialiste drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe anasjellas rivënë në jetë fenomenin e rrjedhjes së anëtarësisë së majtë. E risjellë po në të njëjtën formë, pra me grabitjen e përfaqësuesve të palëve respektive, ky fenomen as më shumë e as më pak jep një atmosferë dhe panoramë të qartë mbi marrëdhëniet mes partive të kampit të majtë. Ardhur në rastin konkret, gjatë ditës së djeshme ka qenë fillimisht largimi i tre këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të Vlorës – Albana Hodaj, Marand Hoxha dhe Artan Liçaj – drejt PS-së, për t’u pasuar me largimin e përfaqësuesve të PS-së në Tiranë drejt LSI-së. Ndërkohë nuk kanë munguar akuzat e ardhura nga lidershipi i LSI-së, sipas të cilit Rama po blen me para njerëz të dobët dhe pa peshë në LSI.

Këshilltarët ikin nga LSI-ja te PS-ja

Këshilltarët e LSI-së në këshillin bashkiak të Vlorës u janë bashkuar radhëve të PS-së. Duke bërë publike një vendim të tillë gjatë mbledhjes së djeshme të këtij këshilli, tre këshilltarët: Albana Hodaj, Marand Hoxha dhe Artan Liçaj, kanë theksuar se puna e tyre në strukturat e LSI-së nuk është vlerësuar. Në deklaratën e bërë publike përpara krejt këshilltarëve, Albana Hodaj në emër edhe të dy anëtarëve të tjerë të LSI-së në këshill bashkiak, deklaroi se “ju komunikoj vendimin tonë politik, duke shpjeguar se, nisur nga aspiratat, sakrificat, përkushtimi dhe përfaqësimi dinjitoz që i kemi bërë së majtës, por edhe gjithë komunitetit vlonjat në tërësi për dy vjet rresht duke u ndeshur me çdo fenomen negativ, pavarësisht çdo ngjyrimi politik, me idealizëm dhe duke besuar në misionin tonë, me keqardhje konstatojmë se ky kontribut dhe ardhmëria e këtij kontributi s’gjetën dhe s’gjejnë hapësirë dhe vlerësim në forcën politike që me aq idealizëm i besuam dhe kontribuam.”

LSI-ja merr ish-drejtues të PS-së

Menjëherë pas largimit të këshilltarëve të LSI-së në Vlorë erdhi një tjetër lëvizje, por kësaj radhe në drejtim të kundërt. Kështu, shumë ish-drejtues të lartë të PS-së, deputetë, zëvendësministra dhe anëtarë të KPD-së së PS-së për shumë vjet iu bashkuan dje LSI-së. Konkretisht ishin Pjetër Dema, ish-deputet i PS, ish-zëvendësministër i Energjetikës; Hasan Hoxha, ish-deputet, drejtues i PS-së në Tiranë dhe anëtar i KPD-së të PS-së për shumë vjet; Xhevahir Ahmetliu, ish-këshilltar i AD-së; Qemal Kuçi, ish-sekretar i PS-s në Tiranë; Rasim Allushi, këshilltar i PS-së në njësi bashkiake; Kujtim Bebja, këshilltar i PSD-së; Lufti Lami, ish-sekretar i PS-së për rrethin e Tiranës dhe këshilltar i Bashkisë së Kamzës; Sajmir Ivziku, ish-sekretar i PS-së, rrethi Tiranë kanë vendosur t’i bashkohen LSI-së. Në arsyet e tyre të gjithë të larguarit vinin theksin pikërisht te fryma që solli kreu aktual Rama në PS, e cila sipas tyre ishte përjashtuese, duke synuar realizimin e interesave të një rrethi të ngushtë në këtë parti. “Ndarjen time me këtë parti e përgatiti vetë lidershipit i ri i saj Edi Rama, i cili pas vitit 2005 përmbysi statutin e PS-së për interesa të një klani të ngushtë. Ai solli në PS njerëz me pikësynime të caktuara, të cilët, kur kandidoja unë për deputet, punuan kundër meje dhe kundër PS-së, madje solli edhe humbjen e saj. Këtë largim e përgatiti ai, sepse mbylli të gjitha shtigjet për një konkurrim të ndershëm, duke shkelur me të dyja këmbët parimin «një anëtar, një vot뻔, - vlerësoi Hoxha gjatë fjalës së tij. Ndërkohë gjatë prezantimit të një lëvizjeje të tillë, por dhe duke iu kundërpërgjigjur PS-së për grabitjen e këshilltarëve të Vlorës, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili vuri në dukje se “jemi këtu për të dënuar edhe një herë perversitetin dhe amoralitetin politik të Edi Ramës, që prej ditësh po blen lart e poshtë në mënyrë qesharake individë të dobët, që nuk përfaqësojnë asgjë dhe që nuk kanë asnjë kontribut as në të majtë dhe as në LSI”. Sipas tij, amoraliteti i blerjes me leje ndërtimi dhe para të thata në dorë të individëve të tillë nuk i ka bërë asnjë dëm LSI-së. O. Xhilaga. Dh. Spiro

Precedenti

Rrjedhja e anëtarësisë nga PS-ja te LSI-ja dhe e kundërta ishte një precedent që e pati zanafillën në Ndroq, ku kryetarja e kësaj komune së bashku me anëtarët e degës së PS-së iu bashkuan radhëve të LSI-së. Madje, qe vetë kryetari i kësaj partie Ilir Meta që u dorëzoi teserat anëtarëve të rinj të partisë së tij. Por dhe PS-ja nuk vonoi t’i kundërpërgjigjej po me të njëjtën mënyrë LSI-së, madje duke shkrirë jo pak degë të kësaj partie në Jug të vendit. Ishin mosmarrëveshjet mes dy partive në qendër ato që sollën një situatë të tillë dhe për bazën e tyre. Kështu, aktualisht PS-ja dhe LSI-ja e kanë zhytur nga qendra në bazë konfliktin mes tyre, duke mos lënë në këtë mënyrë asnjë mundësi për një bashkëpunim të mundshëm, e kjo të paktën përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Pak kohë më parë nga LSI-ja u larguan dy emra të rëndësishëm në strukturat qendrore të kësaj partie dhe disa ditë më vonë kreu i LSI-së në Urën Vajgurore dhe ajo e Shkodrës. Pretendimi i tyre kanë qenë listat e deputetëve të ardhshëm që aspiron kjo parti për zgjedhjet e pritshme parlamentare. Sipas tyre, kreu aktual i LSI-së Meta ka shpërfillur kontributin e tyre dhe ka përfshirë në listë emra që nuk kanë asnjë lidhje me partinë e tyre. Ndërkohë PS-ja dhe LSI-ja vazhdojnë të fajësojnë në distancë njëra-tjetrën, çka sjell rrjedhjen e anëtarësisë në të dyja palët.

Të larguarit e LSI-së

“Nisur nga aspiratat, sakrificat, përkushtimi dhe përfaqësimi dinjitoz i së majtës për dy vjet rresht duke u ndeshur me çdo fenomen negativ, pavarësisht çdo ngjyrimi politik me idealizëm dhe duke besuar në misionin tonë, me keqardhje konstatojmë se ky kontribut dhe ardhmëria e këtij kontributi s’gjetën dhe s’gjejnë hapësirë dhe vlerësim në forcën politike që me aq idealizëm i besuam dhe kontribuam.”

Të larguarit e PS-së

“Në PS nuk drejtojnë më socialistët, por të “përtejmit”. PS-ja nuk mbështet socialistët e vërtetë e të provuar, por “vullnetarët socialistë” dhe se në parti kanë mbetur vetëm ata që ende nuk u ka rënë puna dhe rruga të shohin zyrat e PS-së dhe të shohin kë gjejnë brenda në to. Ndaj ju bëj thirrje socialistëve të vërtetë, bashkëpunëtorëve të mi në atë parti se këtë parti, ku punuam rreth 20 vjet, me drejtuesit që ka sot ata e kanë humbur.”

Argumenti i Vasilit

“Edi Rama me politikën e tij të pazarit ordiner, të nën tavolinës, të thashethemeve dhe intrigës së vockël të kafenesë, që vazhdon edhe sot, tregon qartë frikën e madhe për t’u përballur haptas dhe po ndihmon dukshëm aleatin e tij Sali Berisha në këtë çast shumë të vështirë për të, duke i bërë shërbimin e radhës”, - u shpreh Vasili, duke fajësuar kreun Rama lidhur me largimin e tre këshilltarëve të LSI-së në Vlorë drejt Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›